Me 69 vota pro e asnjë kundër, në sallën e Kuvendit maqedonas ku mungonin ligjvënësit e VMRO DPMNE-se, iu dha drita jeshile ligjit të shumëdiskutuar të gjuhëve, i cili do të zgjidhë më në fund ngërçin e hershem të përdorimit të shqipes në institucionet zyrtare.

Debati për ligjin në fjalë ka nisur në Parlament që në muajin shtator, por mungesa e kuorumit nuk lejoi që kjo çështje të mbyllej që fundin e vitit të kaluar.

Ligji parashikon që veç asaj maqedonase, gjuhë zyrtare në vend të jetë edhe shqipja dhe alfabeti i saj. Ishte pikërisht marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së mbi këtë temë nevralgjike që solli në jetë bashkëqeverisjen e tyre, por debatet që kanë rrethuar ligjin, i cili përmbyll më në fund pas shumë zvarritjesh marrëveshjen e Ohrit, nuk kanë munguar edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Faza e parë e miratimit të tij u prit në mënyra të ndryshme e në atë pasuese, opozita u përpoq të aktivizonte praktikën e hershme të diskutimeve pafund në Parlament me paralajmërimet se do të paraqiste një numër të madh propozimesh për amendamente .

VMRO-ja kërkoi diskutime të gjëra mbi ligjin dhe një pjesë e shoqërisë civile gjithashtu pati sugjeruar një debat publik me ekspertë të fushës, e bindur se ai duhet t’i nënshtrohej korrigjimeve. Nën pretendimin se përdorimi i shqipes thellon hendekun ndëretnik, VMRO-DPMNE kishte votuar në fazën fillestar kundër ligjit që e kthen Maqedoninë, sipas saj, në një shtet dygjuhësor dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Ligji përmban 25 nene dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridik që kryejnë aktivitete publike, gjithë zyrtarë përpos maqedonishtes të jetë dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë.

Por ai duhet të marrë sidoqoftë firmën e presidentit Gjorgje Ivanov, i cili e ka përsëritur në shumë raste se nuk do të firmosë një legjislacion që bie në kundërshtim me Kushtetutën. Pas lajmit ka reaguar menjëherë kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili shkroi në “Twitter” se miratimi i ligjit të gjuhës shqipe në Parlamentin maqedonas është “një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA