2 Koretë takohen në ‘Shtëpinë e Paqes’, shpresë për zbutje tonesh

09/01/2018 00:53

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut do të takohen sot për bisedime të nivelit të lartë, për herë të parë midis vendeve, pas dy viteve.

Takimi do të mbahet në orën 10:00 të orës lokale në Shtëpinë e Paqes në fshatin Panmunjom.Bisedimet do të përqendrohen në pjesëmarrjen e mundshme të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore 2018, që zhvillohen në Korenë e Jugut në shkurt.

Koreja e Jugut gjithashtu tha se do të ofrojë mënyra për të përmirësuar marrëdhëniet ndër-koreane.Marrëdhëniet midis Koreve u përkeqësuan pasi Seuli pezulloi një projekt të përbashkët ekonomik në kompleksin industrial Kaesong, në Korenë e Veriut, pas një nisje raketash dhe një testi bërthamor nga Veriu.

Incidenti nuk u prit mirë në Korenë e Veriut, e cila shkëputi komunikimet me Seulin, duke përfshirë ndërprerjen e kontaktit telefonik. Bisedimet e fundit të nivelit të lartë midis dy vendeve ishin në dhjetor 2015.

Top Channel