Albin Kurti theu heshtjen pas dorëheqjeve të vazhdueshme në Lëvizjen Vetëvendosje. Ish-kreu i kësaj force politike, përmes një postimi në “Facebook”, bëri thirrje për unitet të partisë, ndërsa shprehu një farë zhgënjimi për mungesën e diskutimeve brenda saj.
Kurti shkruan se ndërsa gjendej në paraburgim, dëgjonte se shumë njerëz në vetëvendosje e prisnin për diskutime, por menjëherë pas lirimit të rij, të njëjtët njerëz dhanë dorëheqjen.
“Vetëvendosje është subjekt demokratik. Nuk ia imponon askujt qëndrimin. Bashkërisht, me pjesëmarrjen e mbi 2/3 të Kryesisë, votuam që dorëheqjet të rishqyrtohen dhe kemi kërkuar që të gjithë të dorëhequrit të kthehen në Kryesi. Morëm vendim për t’i kërkuar edhe një herë, me gjithë dashamirësinë e mundshme, që të kthehen, që të jemi bashkë, që të punojmë së bashku”, shkruan Kurti në “Facebook”.
Ish-lideri i Vetëvendosjes gjithashtu i bëri thirrje të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, që kanë ide të tjera, si anëtarë e si zyrtarë të Lëvizjes, të paraqesin platformat e tyre edhe të garojnë për postin e kryetarit të saj.
Top Channel