Vendet e Kuintit, “kërcënim” Kosovës për Specialen

04/01/2018 22:49

Përmes një deklarate publike, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Kosovë shprehën shqetësimin e thellë për përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Vendet e Kuintit, siç njihen ndryshe, në komunikatën dërguar mediave, theksojnë se Dhomat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit për të adresuar krimet e kryera në territorin e saj.

“Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara. Ftojmë çdo drejtues institucioni, udhëheqës partie apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentativë për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha arritjet e vendit. Kjo vë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë këtë veprim dhe kushdo që mbështet atë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona-shkruhet në komunikatë.

Vendet e Kuintit gjithashtu ftojnë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të ngrenë zërin kundër kësaj iniciative negative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtar dhe Euro-Atlantik të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA