Pas reshjeve të pazakonta të borës në bregun juglindor, një stuhi e fuqishme dimërore do të godasë veri lindjen e kontinentit amerikan, me më shumë se 30 centimetra borë dhe erëra të fuqishme.

Sipas parashikuesve të motit, deri në fund të kësaj jave, disa pjesë të Shteteve të Bashkuara do të jenë më të ftohta se Marsi. 13 shtete nga Karolina e Jugut deri në Maine, janë në alarm për shkak të stuhisë bombë që ka nisur të shkaktojë kaos që të enjten. Parashikuesit thonë se shtetet e veri lindjes do të shohin erëra me forcë uragani dhe reshje të mëdha bore.

Një rënie e shpejtë e presionit të ulët do të rezultojë në atë që njihet si cikloni bombë, që ndodh kur një ciklon ka një rënie të madhe në presionin atmosferik në një periudhë të shkurtër kohe. Ciklonet bombë mund të sjellin ajër më të ftohtë nga veriu, duke mbërthyer hemisferën veriore me temperatura të acarta. Ato ndodhin shpesh në Amerikën e Veriut, kur ajri i ftohtë i Amerikës së Veriut ndërvepron me ajrin e ngrohtë mbi Oqeanin Atlantik, por stuhi të tilla janë raportuar edhe në Azinë Lindore dhe Amerikën Jugore.

Të paktën 12 persona në SHBA kanë humbur jetën këtë javë, si pasojë e motit të ftohtë, ndërkohë Senati Amerikan ka anuluar votimin të enjten, në mënyrë që ligjvënësit të mund të largohen nga Uashingtoni para stuhisë. Më shumë se 2700 fluturime janë anuluar të enjten në SHBA, ndërsa pjesa juglindore e Shteteve të Bashkuara ka parë edhe plazhet ti mbulohen me borë. E për shumëkënd kjo ka qenë bora e parë që kanë parë në jetën e tyre.

Top Channel