Trump për Kim Jong-un: Butoni im bërthamor, më i madh

03/01/2018 10:52

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se butoni i tij bërthamor është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se ai i liderit koreano-verior Kim Jong Un.

Postimi i tij në Twitter është kontributi më i fundit në përplasjen që po merr gjithnjë e më shumë tone personale mes liderëve të armatosur me armë bërthamore. Kim Jong Un më herët këtë javë, kishte kërcënuar se butoni i tij bërthamor gjendej gjithnjë në tryezën e tij.

Pa çuditur askënd, fjalët jo-ortodokse të Trump shkaktuan jo pak zhurmë në medien sociale. Ato përmbyllën një ditë frenetike postimesh, mes të cilave edhe lëvdatat për mungesën e aksidenteve ajrore, çmimin për medien e korruptuar dhe kërcënimin për të ndalur ndihmat për palestinezët që nuk tregojnë vlerësim dhe respekt.

Komentet më të fundit të Trump, nënvizojnë atë që është e ditur. Çdo president amerikan ka akses të menjëhershëm në kodet bërthamore dhe SHBA ka arsenalin më të madh bërthamor në botë. Koreja e Veriut pretendon se disponon tashmë armë bërthamore dhe mund të sulmojë me to SHBA-të, por ndërsa analistët e pranojnë këtë, nënvizojnë edhe se nuk është e qartë nëse vendi ka teknologjinë për t’i përdorur ato në zemërim e sipër.

Trump dhe Kim Jong Un kanë një historik shumëngjyrësh epitetesh për njëri-tjetrin. Më herët këtë vit, koreano-veriori e quajti presidentin amerikan ‘matuf’, ndërsa Trump përdori epitetin ‘njeriu i vogël raketë’ për Kim Jong-un.

Përtej kërcënimit për SHBA-të, në fjalimin e tij të vitit të ri, Kim Jong-un habiti shumëkënd kur tha se ishte i hapur për dialog me Korenë e Jugut dhe se do të dërgonte një delegacion në Olimpiadën Dimërore që mbahet në Korenë e Jugut muajin e ardhshëm.

Të mërkurën, Seuli tha se Koreja e Veriut do të rikthejë edhe linjën pa pagesë ndër-koreane, duke hapur kështu një kanal për një dialog që mund të çonte edhe në një takim të mundshëm.

Top Channel