Komunikimi mes 2 Koreve/ Veriu komunist, ofertë Jugut për bisedime

03/01/2018 12:49

Nga Koreja e Veriut vazhdojnë të mbërrijnë mesazhe pozitive. Vendi i izoluar komunist vendosi të hapë sërish komunikimin ndërkufitar me Korenë e Jugut, pavarësisht acarimit që njohën marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje gjatë 2017-ës.

Tema kryesore e diskutimeve do të jenë Lojrat Olimpike të dimrit. Linja e komunikimit, e ndodhur në fshatin kufitar Panmunjom, u ndërpre nga Veriu në 2016-ën dhe nuk u përdor më që prej ashpërsimit të tensioneve si pasojë e programit bërthamor e balistik të Penianit.

Njoftimi erdhi pasi lideri koreano-verior Kim Jong-un i bëri jugut një ofertë të rrallë të martën kur propozoi një takim për të diskutuar pjesëmarrjen e mundshme të vendit të tij në Olimpiket Dimërore të 2018-ës.

Seuli këmbënguli të tregonte se është mëse i përgatitur për këtë pjesëmarrje, nëse ajo do të ndodhë vërtetë. Kreu i Komitetit organizues të këtyre lojërave, Lee Hee Beom, thotë se janë gati për delegacionin koreano-verior në atë që e përshkroi si “festivalin më të madh dimëror ndonjëherë në histori”.

Një traget do të jetë në dispozicion të atletëve për transportin dhe akomodimin e tyre. Por lojrat e dimrit kanë marrë edhe një tjetër etiketim të veçantë nga organizatorët, të cilët kanë zgjedhur t’i quajnë “Olimpiket e Paqes” dhe e presin me padurim praninë e Koresë së Veriut.

Zhvillimet e fundit po shihen gjerësisht si ogur i mirë, që tregon se dy Koretë më në fund janë duke lëvizur drejt rivendosjes së marrëdhënieve miqësore mes tyre, ose të paktën këtë shpresë ngjall fakti që Kim Jong-un, siç raportojnë zyrtarë të shtetit komunist, e ka mirëpritur mbështetjen që Seuli i dha ofertës së tij për paqe.

Top Channel