Ato që dukeshin si 5 rivalë të fortë për titullin duket se tani janë reduktuar në vetëm dy, për fronin e serisë A. Napoli mori titullin simbolik të kampionit të dimrit me vetëdijen se do të ketë Juventus si kërcënimin real për kreun deri në muajin maj.

Inter, Roma e Lazio nuk janë larg në distancë pikësh por për një seri motivesh, duken të shkëputura nga dy të parat e klasës.

Napoli e mbylli fazën e parë me 48 pikë, 9 më shumë se vitin e kaluar në këtë pikë dhe një më shumë se Juventus. Rendimenti dhe loja e bukur e muajit gusht janë ende larg por formacioni i trajnerit Sarri mund të buzëqeshë sepse ka nisur të fitojë ndeshjet edhe kur nuk shkëlqen fare.

Impenjimi në Europa League do të kushtëzojë rendimentin fizik, e për këtë Napoli me të gjitha gjasat do të bëjë rotacion në mbrëmjet e gjata të së enjteve kontinentale. 13 futbollistë të impenjuar në 3 fronte është vështirë që të rezistojnë deri në muajin Maj, dhe merkatoja e këtij dimri, mund ti japë zgjedhje dhe frymëmarrje jugorëve.

Juventus ndërkohë ka dukshëm superioritet në këtë pikë pasi garanton cilësi maksimale dhe nga pankina. Alegri ka të paktën 20 futbollistë me nivel të lartë dhe do ti alternojë nga kjo pikë e sezonit deri në fund, në Kupë në serinë A dhe në Champions. Nëse sprinti europian do të vazhdojë për 4 muaj, do të jetë e pashmangshme që Zonja të lëshojë në kampionat.

Top Channel