Fjalimi i Vitit të Ri, Papa bën apel për emigrantët

01/01/2018 22:01

Papa Françesku e shfrytëzoi fjalimin tradicional të Vitit të Ri për t’u dhënë zë atyre që i quajti si personat më të dobët e në nevojë; refugjatëve dhe emigrantëve.

Papa u bëri thirrje liderëve botërorë të bëjnë më shumë për ta. Kreu i Selisë së Shenjtë u kujtoi 40 mijë njerëzve të mbledhur në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit se kishte zgjedhur dramën e emigrantëve si temë për Ditën Botërore të Paqes në kishën katolike romake, që shënohet çdo 1 janar.

“Pikërisht për paqen, e cila është e drejtë e të gjithëve, shumë prej tyre po rrezikojnë jetën në një udhëtim që është shpesh i gjatë dhe i rrezikshëm. Ju lutem, të mos ja thyejmë e të mos ja mbysim shpresat për paqen”, u shpreh Papa Françesku.

Rreth botës, lëvizja masive e njerëzve po kryeson axhendën politike dhe Papa argjentinas e ka kthyer mbrojtjen e emigrantëve në një temë qendrore të Papatit të tij. Gjatë një udhëtimi në Mianmar dhe Bangladesh vitin e kaluar, ai u takua me refugjatët myslimanë rohinga dhe kërkoi veprim të vendosur për zgjidhjen e problemeve politike që nxisin emigracionin. Papa kritikoi gjithashtu qëllimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën, për të penguar hyrjen e emigrantëve.

Top Channel