Festimet në botë, spektakël fishekzjarresh

01/01/2018 14:10

Miliona njerëz rreth botës festuan mbërritjen e vitit të ri me fishekzjarre e spektakël dritash, pavarësisht frikës për sulme terroriste e motit të acartë në disa vende. Një prej festave më ikonë është padyshim ajo në Nju Jork.

Mijëra qytetarë sfiduan temperaturat nën zero për të parë uljen e famshme të topit në Times Square, në atë që vlerësohet të jetë si mbrëmja e dytë më e ftohtë e ndërrimit të viteve.

Festimet u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie, me një prani të shtuar policore nëpër rrugë.U blindua edhe Las Vegasi, ku një person i armatosur vrau 58 vetë gjatë një festivali të muzikës kauntri në muajin tetor. Trupa të gardës kombëtare patrulluan rrugët, ndërsa nëpër çati ishin pozicionuar sniperat…

Dubai e përshëndeti 2018 me një shfaqje madhështore me lazera e tinguj pranë Burj Khalifas me të cilën synoi të hynte në librin e rekordeve Gines…

Si çdo vit festa në kryeqytetin rus u zhvillua në Sheshin e Kuq.. Parisienet shijuan një spektakël mbresëlënës dritash pranë Harkut të Triumfit ku u projektua edhe numërimi mbrapsht, ndërsa në Berlin fishekzjarret u hodhën mbi porten e Brandenburgut..

Pas një heshtje disa mujore, këmbanat e Big Benit u dëgjuan në mesnatë ndërsa londinezet mirëpritën 2018-tën me më shumë se 10 mijë fishekzjarre që ndriçuan qiellin..

 

Top Channel