Cristian Panucci ka folur në një intervistë të gjatë, për Supersport dhe ka rrëfyer të gjitha detajet e përzgjedhjes së tij. Trajneri i kombëtares shqiptare është shprehur se kualifikimi në Euro 2020 është një obsesion për të, ndërsa flet me superlativa edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
A të pëlqen që e kemi titulluar intervistën “Mister 2020”?
Më pëlqen shumë. Për këtë kam ardhur. Ky është objektivi i federatës dhe objektivi ynë. Të provojmë të shkojmë në Euro 2020. “Mister 2020” është titull i bukur dhe shpresojmë ta kurorëzojmë.
Si ka qenë periudha e parë e Vitit 2017, a e kishit menduar ndonjëherë se mund të preknit Shqipërinë?
Në vitet e mëparshme, kombëtarja shqiptare që udhëhiqej nga Xhani De Biazi, ishte rritur shumë. Imazhi i Kombëtares Shqiptare ishte një kombëtare e rëndësishme, sepse mori pjesë në Europian. Kur më erdhi telefonata sinqerisht nuk dyshova kurrë që të vija të stërvitja Shqipërinë, edhe pse mendoja që ishte skuadër e mirë. Tani që po e drejtoj prej gjashtë muajsh, jam akoma më i bindur se zgjedhja që bëra ishte e duhura.
Si lindi ideja për të bashkëpunuar me FSHF-në? Kur ishte hera e parë që dëgjuat fjalën Shqipëria?
U kontaktova në telefon nga drejtori, Denis Bastari, i cili më kërkoi një takim për të ndarë disa ide, unë, bashkë me trajnerë të tjerë, besoj. Erdha në Tiranë, u takova me presidentin Duka. Biseduam, shkuam bashkë për drekë, që aty, pas 20 ditësh, më kontaktoi Duka, ku më tha që më kishte zgjedhur mua. Pra, isha trajneri i ri i Shqipërisë.
Çfarë përshtypjesh pate nga takimi i parë me Dukën?
Kur u largova, po shpresoja të më telefononte, sepse besoj kam fatin e madh të kem një president të cilin e ëndërron çdo trajner. Një president që mbi të gjitha i ka dhënë federatës në tetë vjet diçka të jashtëzakonshme. Është një njeri që më lë të punoj, i cili ndan mendime me mua, flasim, diskutojmë për gjithçka dhe pastaj më thotë: “Zgjedhja është jotja, trajner”. Kjo është lumturia e çdo trajneri. S’është e lehtë të gjesh një president që përfshihet brenda situatave teknike, por ai është shumë i talentuar në këtë drejtim.
Ishin edhe 2-3 kandidatura të tjera, ishte Seedorf, Inzaghi… Përse mendon se u përzgjodhët ju?
Për këtë duhet pyetur Duka. Unë besoj se është njeri që bazohet te ndjesitë, është biznesmen i madh dhe ndoshta ka perceptuar diçka. E vetmja gjë që mund të bëj dhe bashkëjetoj çdo ditë, është se duhet t’i jap të drejtë. Shpresoj t’i jap të drejtë në dy vitet e punës që më presin këtu në Shqipëri dhe të arrij rezultatin më të rëndësishëm, Euro 2020. Kam dëshirë dhe vullnet t’i jap të drejtë Dukës për zgjedhjen e tij. Do të ishte gjëja më e bukur që mund të marr këtu, në Shqipëri.
Nuk i thatë diçka për ta bindur Dukën? Ndoshta kjo do të ishte diçka interesante…
Jo, s’kam bindur kurrë… Kam tentuar gjithnjë të jem vetvetja. Nuk i kam telefonuar kurrë askujt. Shpreha thjesht karakterin tim, dëshirën time për të punuar, mënyrën time të të menduarit. Besoj se isha një lojtar që e bëra me seriozitet karrierën time. Dhe me po këtë seriozitet dua të bëj karrierë si trajner. Besoj se në jetë duhet të jesh gjithnjë vetvetja, të mos blofosh kurrë, sepse zbulohen të gjitha letrat.
Keni qenë ndihmës-trajner te Rusia. Çfarë përshtypjesh të ka lënë kjo eksperiencë dhe a ndryshojnë shumë ambientet në Rusi dhe Shqipëri?
Atje isha ndihmës-trajner, edhe pse punoja shumë në fushë. Ishte një përvojë fantastike përkrah Fabio Capellos, Italo Galbiatit. Ishin dy vite e gjysmë shumë të bukura në Rusi, punova mirë, u ndjeva mirë, më ndihmoi të rritem profesionalisht, sepse të rrish pranë trajnerit që bën disa zgjedhje, arsyeja pse i bën, si i bën, më rriti shumë profesionalisht dhe ishte një përvojë tepër e rëndësishme.
Capello ju ka pasur si djalin tuaj. A është e vështirë të konfigurohesh më vete?
Jo, jo. Besoj se e fitova simpatinë e tij ngaqë ia thosha troç mendimin tim. Më ka vlerësuar gjithnjë si lojtar, besoj edhe si njeri. Ai është njeri shumë serioz, shumë i sertë. Me të pata një marrëdhënie reale, shumë të rëndësishme dhe ndihem krenar. Unë i shërbeja si lojtar dhe ai ishte për mua një nga trajnerët më të mëdhenj. Fakti që isha një lojtar i madh për të është kënaqësi e madhe.
Shqipëria një vit më parë kishte marrë pjesë në Europian, kur e pranuat këtë detyrë a kishit frikë se po rrezikonit?
Më pëlqen të rrezikoj. Nuk më shqetëson kjo. Kur e mora kombëtaren, objektivi ishte 2020. Në katër ndeshjet e mbetura duhej të njihja grupin, se kush ishte Shqipëria, federata. Këta 6 muaj ishin shumë të rëndësishëm për të njohur të gjithë mekanizmin shqiptar, në aspektin e futbollit.
De Biasi kur mori Shqipërinë bëri një lloj revolucioni, ndërsa ju gjetët një skuadër të mirë. Megjithatë pati disa ndryshime në seleksionimin e futbollistëve dhe në mënyrën e lojës…
Sa herë që bënim stërvitje, dalloja diçka në skuadër. Kisha gjithnjë përshtypjen që kjo skuadër mund të luante 15-20 metra më përpara. U mundova gjithnjë t’i inkurajoja. Besoj se ky është një vend që e ka vuajtur shumë diktaturën e viteve ’80. Kur vija me avion dhe më pas lëvizja me makinë drejt qendrës, shihja lokalet dhe njerëzit që e kalonin ditën me lehtësi të madhe. Këtë doja t’i transmetoja skuadrës. Kurajën për të tentuar, për të bërë 15-20 metra. Kemi ende shumë punë për të bërë, por besoj se në Turqi u pa një skuadër e guximshme dhe që tenton ta fitojë ndeshjen. Nëse kundërshtari është më i zoti, i japim dorën dhe kthehemi në shtëpi. Ideja ime është të provojmë të bëjmë lojën tonë.
Kur e morët skuadrën ishte në vendin e tretë dhe ishte një kusht që ju ta mbanit këtë pozicion…
Besoj se kur e morëm ishim në vend të katërt. Kur e mora, ishim në vend të katërt dhe arritëm të tretët. Nuk ishte një kusht. Me siguri presidenti donte të rrinte pas Spanjës dhe Italisë. Ia dolëm dhe ndoshta na mungon një pikë me Italinë, sepse mendoj që e meritonim me atë ndeshje që bënë djemtë, s’duhej të humbnim, por ndoshta do të na e japin në vazhdim.
Në ditën e parë të grumbullimit, latë Xhakën dhe Cikalleshin jashtë, por koha tregoi se ju nuk kishit asgjë personale me këta futbollitë. Çfarë është disiplina për ju dhe a keni një grup të disiplinuar?
Po, gjeta një grup me djem shumë seriozë. Por kishte gjëra për t’u sistemuar. Besoj se kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Janë oraret, respekti. Kur një lojtar vjen në kombëtare, duhet të kuptojë që përfaqëson kombin e tij. Kombëtarja është diçka shumë e rëndësishme. Tentova të bëj normalitetin e gjërave që kam jetuar vetë. Oraret. Një lojtar s’mund të vijë me një ditë vonesë për arsyet e tij personale. Cikalleshi është lojtar i rëndësishëm, gjithashtu dhe Xhaka, por ka disa rregulla. Pa rregullat, nuk shkojmë askund. Nuk arrihet asnjë rezultat.
4 pikë në 4 ndeshje zyrtare. Sa i kënaqur jeni me pikët që ka grumbulluar skuadra? Nuk beson se keni zhgënjime?
Besoj se si performancë erdhëm në rritje, gjithmonë në rritje. Pengu i vetëm është pika me Italinë. Spanja është i një niveli tjetër. Mendoj që edhe nëse përballemi me Italinë në kualifikueset për Europianin apo çfarëdo që ndodh, do të luajmë. Do të luajmë sepse po ndërtojmë një grup cilësor, një grup që ndoshta vetëm Gjermania dhe Spanja janë sipër nesh, por mendoj se kemi një skuadër që mund të përballet me të gjithë.
Transferta me Maqedoninë për ne ishte si një finale, na duhej barazimi dhe e morëm. Mendon që kishte diçka që nuk shkoi në atë ndeshje? E kam fjalën zëvendësimet që u kryen menjëherë në pjesën e dytë…
Ne duhet të punojmë më shumë në aspektin kur nuk e kemi topin. Në shumicën e rasteve e marrim me të lehtë. Pësuam disa gola, për shembull në Turqi, shumë lehtësisht. Në Maqedoni pësuam gol me penallti. Kishim avantazhin 2-0, por besoj se skuadra ka ndryshuar totalisht edhe me lojtarët. Besoj se ndonjë gol mund ta shmangnim.
Kur luan kundër Spanjës nuk është se i ke gjërat në dorë. Në atë ndeshje bëmë 2-3 shtylla, luajtëm mirë, por morën 3 gola për 17 minuta…
Absolutisht. Por qëndron fakti se Spanja është më e fortë se ne. Askush s’arriti të fitonte në Spanjë. Mendoj se bëmë një pjesë të dytëme nivel. Dhe nëse ju kujtohet, gjuajtëm 14 herë në portë. 14 herë për një skuadër si Shqipëria, në atë çast, është shumë pozitive.
Nuk arritëm të merrnim pikë përballë Italisë. Edhe pse Italia nuk u përpoq fare për të fituar, sërish fitoi. Koha tregoi që Italia kishte probleme, nuk shkoi në Botëror…
Jam i bindur që po të tregoheshim më mizorë s’do ta humbnim atë ndeshje. Ne mbetëm jashtë botërorit, pësuam një gol që mund ta shmangnim. Na vjen keq, por duhet të shohim përpara. Jam i bindur se pikën që humbëm me Italinë do ta rimarrim në kualifikueset e Euro 2020.
Viti u mbyll me një fitore 2-3 në miqësoren me Turqinë. A ishte një mesazh se kjo skuadër mund të fitojë edhe ndaj kundërshtarëve më të mirë në renditjen e FIFA-s?
Besoj se ishin dy ndeshje.Pjesa e parë, fitorja e lojës. Sepse luajtëm vërtet futboll. Pjesa e dytë, e karakterit. Thuhet që trajneri është një trajner karakteri. Nëse i dhashë karakter kombëtares, më bëhet qejfi, sepse jam një njeri dhe trajner që nuk tërhiqet kurrë, deri në minutën e 95-të, deri në stërvitjen e fundit, deri në sekondën e fundit të çdo stërvitjeje. Dua që lojtarët e mi të kenë atë ndjesi. Të japin maksimumin në çdo stërvitje, të mundohen të përmirësohen dhe kur bëhet ndeshja, të marrin me vete fitoren në shtëpi. Kjo është rruga e duhur në atë që duam të ndërtojmë, në grupin që duam të formojmë për të shkuar në Euro 2020.
Flasim pak për klimën në skuadër, a i kanë përthithur lojtarët idetë e tua?
Unë i shoh që punojnë me shumë seriozitet. Janë shumë “seriozë”. Shumë seriozë. Punojnë me entuziazëm. Është e qartë se kush luan më pak s’është kurrë i lumtur, por kam përshtypjen se skuadra krijon ndjesinë që do të luajë. Unë nuk i them skuadrës të mos hidhet në sulm, sepse nuk mund ta bëjë, por po mundohem t’i vë kostumin që i rri përshtat, për t’i shprehur më mirë aftësitë, por me shumë guxim. Jam i bindur se po të ndërtojmë një grup që mund të luajë futboll të bukur dhe cilësor.
Përfaqësueset e rajonit kanë lojtarë të rëndësishëm, Bosnja ka xhekon, Mali i Zi Vucinicin apo Joveticin, Maqedonia Pandevin. Ne nuk e kemi këtë “yllin” që bën diferencën, ju shqetëson ky fakt?
Besoj se kam lojtarë të rëndësishëm. Kam Strakoshën, Berishën, Hysajn, Mavrajn. Kam Xhakën. Kam Sadikun, Cikalleshin, Grezdën, Roshin. Jam i bindur që kam lojtarë të mirë. Sinqerisht, jam i lumtur për grupin që po stërvit, për lojtarët që kam. Nga ky këndvështrim, siç the dhe ti, s’kemi “yje” të mëdhenj, por kemi një “yll” të madh që është grupi. Ky është një grup që sipas meje, do t’i japë kënaqësi të gjithë popullit shqiptar.
Që ditën e parë i dhatë fanellën e titullarit Eros Grezdës, pse pikërisht atij?
Nuk e zgjodha unë, ai e vendosi vetë. Mënyrën e stërvitjes, mënyrën e lojës, është lojtar që mund të vendosë fatin e ndeshjes, sepse është i mirë në lojën një kundër një, është lojtar që stërvitet me shumë seriozitet. Çdo lojtar zgjedh fatin e vet. Unë jam aty, të vështroj. Kush më jep idenë që mund të luajë, do të luajë me mua. Grezda po ecën shumë mirë, është i ri, duhet të rritet akoma profesionalisht, jam i bindur që në vitet e ardhshme do të flitet shumë për të. Jam i lumtur për këtë që po krijoj. S’kemi mbaruar ende, sepse po vëzhgojmë disa lojtarë për t’i ftuar në skuadër.
Si ka qenë përqasja juaj me opinionin publik dhe me federatën?
Jam vërtet i lumtur për këtë që po krijojmë. Mendoj se kam një raport të mire me gazetarët. U jap përgjigjur gjithnjë të gjitha pyetjeve, kam qenë përherë shumë i qetë. Kur shkon në një shtet të huaj duhet të kuptosh ç’është Shqipëria. S’mund të jetoj si italian në Rusi, apo si italian në Shqipëri. Çdokush ka zakonet e veta. Unë duhet të mundohem t’i kuptoj. Edhe federate kishte disa zakone, po tentoj të sjell profesionalizmin, seriozitetin, mënyrën time. Besoj se objektivat përftohen me dy gjëra, me një federatë që të ndihmon, me një skuadër që punon, të dyja gjërat bashkë të ndihmojnë të shkosh në Euro 2020. Unë gjeta një federatë të përkryer, janë të gjitha. Armando Duka ka krijuar një mekanizëm të mirë. Besoj se gjendem mirë brenda kësaj federate. Jam shumë i lumtur që stërvit Shqipërinë. Jam i lumtur për skuadrën që po krijojmë, jam i lumtur për të gjitha kushtet e duhura që presidenti po më vë në dispozicion, por kemi ende shumë punë.
Ku jetoni momentalisht?
Unë jetoj në Romë. Në këtë periudhë kam shëtitur nëpër Europë, vij gjithmonë me shumë dëshirë në Shqipëri. Por në Romë punoj, nuk jam me pushime. E kam obsesion Euro 2020. Tani do të kalojmë pushimet e Krishtlindjes dhe pastaj do të shohim ata 4-5 lojtarë që po vëzhgoj.
Mund t’i zbuloni emrat?
Jo, jo. S’mund ta themi.
Çfarë note do t’i vinit kampionatit shqiptar dhe me cilin nivel të futbollit italian do ta krahasonit?
E vështirë sepse kur sheh Skënderbeun, është kampionat me nivel. Mendoj se po investohet dhe duhet të investohet këtu në Shqipëri, sepse ka shumë talente të rinj. Nëse arrihet të investohet, jam i bindur që në vitet e ardhshme, kampionati shqiptar do të rritet shumë në nivel. Ndoshta tani është disi mbrapa, por jam i bindur që nëse punohet me të rinjtë, me skuadrat e të rinjve, Shqipëria ka burime të rëndësishme.
A mendoni se Shqipëria mund ta fitojë grupin e saj me tre ose katër skuadra në Ligën e Kombeve League që nis në shtator?
Ne jemi të bindur se kemi një skuadër që mund ta fitojë grupin, sepse ne duhet të mendojmë gjithmonë që mund ta fitojmë, por edhe skuadrat e tjera e mendojnë, ndaj do të jenë detajet e vogla, ambicia, dëshira për të shkuar në Euro 2020 që do të bëjë ndryshimin. Ne do të krijojmë një grup që do ta provojë, por nëse të tjerët do të jenë më të zotët, do ta pranojmë. Por para se të eliminohet Shqipëria, të tjerët duhet të luftojnë, ashtu siç do të luftojmë ne.
Cilat skuadra do të përzgjidhje si kundërshtare nëse do të bënim një simulim për krijimin e grupit?
Nuk dua të zgjedh asnjë, sepse kam qenë gjithnjë i pafat në zgjedhje. Unë do të zgjidhja më tepër Slloveninë. Do të zgjidhja Finlandën, pastaj Qipron. Atje është vapë dhe djemtë… Më mirë në vende të nxehta.
Përveç Ligës së Kombeve janë edhe ndeshjet kualifikuese të Europianit. Mendoni se do t’ju përndjekë fakti që me De Biasin Shqipëria u kuakifikua, pra do të keni më shumë presion?
Presioni nuk frikëson aspak. Duhet të kemi karakter, personalitet, të dimë t’i menaxhojmë këto situata dhe të mendojmë se me Xhanin ishte një histori e bukur, sepse Xhani bëri një punë të shkëlqyer, tani duhet të ndërtojmë një histori tjetër të bukur dhe ndoshta ndonjëherë bëhet më e bukur. Shpresoj të jetë një përrallë e bukur. Jam i bindur se po mëkëmbim një skuadër që mund t’i pëlqejë të gjithë kombit, të gjithë Shqipërisë.
A merrni këshilla nga De Biasi, pra e komunikoni në vazhdimësi me të?
Unë Xhanin thjesht duhet ta falënderoj, sepse kur u paraqit mundësia për të punuar në Shqipëri, di që ai shprehu fjalë të mira dhe vlerësuese ndaj meje, ishte thelbësor në gjithë këtë. Sa herë që e takoj Xhanin emocionohem, sepse është një burrë i vërtetë, me karakter të fortë,flasim shpesh, tani ndoshta do ta takoj së afërmi dhe është njeri që e vlerësoj shumë.
A keni programuar një miqësore në muajin mars apo qershor, flitet për Norvegjinë?
Po punojmë për Norvegjinë, s’e kemi zyrtarizuar ende dhe ata na ftuan për të luajtur.Të dyja federatat po bisedojnë. Unë shoh gjithçka, shoh të gjithë Europën. Kam Alariko Rosin, i cili është video-analisti im që kontrollon këdo që është në Europë, me pasaportë shqiptare, kosovare, maqedonase, të cilët mund të bëhen shqiptarë, por edhe me njerëz të tjerë që monitorojmë gjithçka të mundshme. Kur shfaqet diçka interesante, shkojmë ta shohim. Kryesisht, ftesat në skuadër nuk i bëj unë, i bëjnë lojtarët, me mënyrën si luajnë në fushë. Kur është një lojtar cilësor dhe s’ka shumë kohë për të luajtur në kombëtare, unë e thërras. I ri, i madh në moshë, s’më intereson. Unë e thërras në grumbullim. Gjeta një djalosh në Rumani, Xhakën, Qakën. Sepse kam Xhakën dhe Qakën. Duhet t’i thërras Taulant dhe Kamer. Për mendimin tim është talent i jashtëzakonshëm. Është një djalë që më dha menjëherë emocione kur e pashë. Doja ta grumbulloja në tetor, por ishin ende kualifikueset dhe doja të rrija me atë grup. Por ky është lojtar që do të jetë pjesë e grupit, sepse kur një lojtar ka cilësi, është e drejtë ta grumbullosh. Kur shkon të shohësh një sfilatë mode, duhen femra të bukura dhe besoj se është një lojtar cilësor. Më pëlqen.
Në Itali luajnë shumë shqiptare, në nivele të ndryshme, pse është kaq e vështirë që të vijnë në kombëtare?
Të gjithë ata që luajnë në Serie A dhe Serie B, i ndjekim. Por duhet thënë që është kombëtarja, s’mund të grumbullojmë këdo që luan në kategorinë e katërt, të pestë, të vijë në kombëtare. Kombëtarja është gjë serioze, e rëndësishme. Gjithçka që e vendos karrierën e lojtarit, është ai drejtkëndësh. Kur në atë katërkëndësh arrin të bësh gjëra të rëndësishme, atëherë merresh në konsideratë. Por kur luan në kategorinë e katërt, të pestë dhe s’arrin të shkosh lart, ka gjithmonë disa arsye. Jam i hapur ndaj të gjithëve. Siç e patë, nëse dikush është i zoti, e thërras në ekip. Kur bëj grumbullimin, ia nis presidentit dhe më thotë: “Në rregull, trajner”. S’më ka thënë kurrë, jo ky, po ky… Kam shumë lirshmëri në grumbullim. Kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë. Unë mundohem të grumbulloj më të mirët që mund të japin rezultate.
Ju jeni një ish-futbollist i madh që keni luajtur me ekipe të mëdha. Pak e vogël Shqipëria, nëse e krahasoni me karrierën tuaj të mrekullueshme…
Jo, Shqipëria është krenari e madhe për mua. Jam krenar që e stërvit Shqipërinë. Ajo që kam bërë si futbollist, s’do të thotë absolutisht asgjë. Jam shumë i lumtur që e stërvit këtë skuadër dhe kam shumë dëshirë ta përçoj karakterin, dëshirën time ndaj këtyre lojtarëve për të parë çfarë ka mbrapa murit për të tentuar të fitojmë ndeshjet. Jam i privilegjuar. Kur erdha në Shqipëri dhe fola me presidentin, nuk kam diskutuar kurrë për 1 euro. Nuk më interesonin aspak paratë. E dija që ishte një produkt ku mund të bëja punë të mirë. Tani, pas 6 muajsh, jam akoma më i bindur për zgjedhjen që bëra.
Në vitin 1993 ju keni ardhur në Shqipëri si lojtar. Luante Olimpiku i Tiranës me një skuadër ushtarake italiane…
Mbaj mend dhe ishte një udhëtim, më falni që po e them, i trishtuar. I trishtuar, sepse kur erdha në aeroport, ishin fëmijët që më kërkonin panine jashtë autobusit dhe ishte një imazh që më preku në zemër. Kur shoh tani, pas kaq shumë vitesh, që Shqipëria e mori veten në këtë mënyrë dhe ka dëshirë për t’u rritur, ka një ekonomi që po rimëkëmbet, është shumë bukur. Por më kujtohet ai autobus kur po dilja nga aeroporti dhe fëmijët që më kërkonin një panine. Unë që jam baba, mundohem… Ndoshta tani ndiej më shumë trishtim. Ndoshta në atë çast nuk e kuptoje shumë, ishte shumë e shpejtë, por tani e kuptoj sesa shumë ka përparuar ky vend gjatë këtyre viteve.
Po tani si është të jetosh në Shqipëri? Ju jeni akomoduar në një hotel…
Unë ha shumë mirë, problem është kur drekoj me presidentin. Presidenti ha, më detyron të ha shumë. Ndihem mirë, rri në hotel, shkoj te federata, punoj. Edhe kur isha futbollist, e shumta në orën 23:00 flija gjumë. S’jam tip që jetoj… Më pëlqen të shkoj në restorant, të pi një verë të mirë, e adhuroj këtë lloj jete. Kur jam këtu, punoj, punoj gjithmonë.
Çfarë të pëlqen nga ushqimet tradicionale shqiptare?
Provova kuzhinën dhe disa gatime, por nëse më pyet për emrat, nuk i mbaj mend. Por këtu hahet shumë mirë. Hëngra peshk në Durrës me presidentin. Hahet shumë mirë. Pas marsit dua të bëj një xhiro në jug të Shqipërisë për ta njohur, për të krijuar një përshtypje. Sepse praktikisht, kur vij këtu ndihem mirë. Dua të perceptoj dhe kuptoj gjithçka në lidhje me Shqipërinë.
Në apartament apo në hotel?
Jo, në hotel, nuk kam apartament, shkoj në hotel. Sepse vij dy-tre herë në muaj dhe shkoj në hotel. Nuk më pëlqen të izolohem. Dua të jem i shoqëruar.
Mendon se duhet të vish në shpesh?
Tani duhet të bëjmë programet me federatën, do të vij sa herë që lind nevoja, sepse duhet të ndreqim shumë gjëra, të përgatitemi vërtet mire për Euro 2020.
Çfarë mendon familja juaj, partnerja juaj, për këtë eksperiencë?
Kam një baba dhe një nënë që s’kanë ndërhyrë kurrë në jetën time. Kanë tentuar gjithnjë… Po tentoj t’i mësoj tim biri që të jetë i lumtur. Nëse im bir do të jetë i lumtur të bëhet picier, do të bëhet picier. Do ta dalloj në sytë e tij nëse do të jetë i lumtur. Prindërit janë të lumtur sepse shohin një bir të lumtur me punën që po bën, të lumtur që punon në Shqipëri dhe kur prindi e sheh fëmijën të lumtur, lumturohet edhe ai, çfarëdo qoftë. Im bir ndihet shumë krenar, është tifozi i parë i Shqipërisë, ma ndien mungesën dhe po kalojmë një çast të bukur.
Djali juaj mund të bëhet një Panucci i ri?
Pyetja që i bëj gjithmonë… Ai luan në një skuadër afër Romës. Kur vjen në shtëpi, e pyes gjithnjë: “A u kënaqe? U zotove”? Im bir e ka shumë të vështirë në Romë. Në thonjëza, “Të jesh Panucci”. Dua vetëm që të dëfrehet, të rrijë në një ambient të begatë dhe që të luajë futboll. Pastaj, se çfarë do të ndodhë dhe se ç’do dojë të bëjë, do ta vendosë ai. Nuk do t’i them unë çfarë të bëjë. Nëse do të bëhet picier, avokat, inxhinier, duhet të jetë i lumtur ai. Unë dua vetëm lumturinë e tij.
Çfarë marrëdhëniesh ka Panucci me rrjetet sociale?
“Facebook” nuk kam, në “Instagram” hyj, por shumë rrallë. Shoh që duhet ta përdor më shumë, sepse tashmë informacionet, fotot, janë pjesë e normalitetit. Jam shumë i rezervuar me jetën time private. Besoj se quhet “private” pikërisht për këtë arsye. Por shoh të gjithë lojtarët e mi, miqtë, shoqen time, që të gjithë janë në “Instagram”, por jam shumë besnik i jetës sime private. E respektoj shumë.
Çfarë të pëlqen dhe çfarë nuk të pëlqen te shqiptarët?
Më pëlqen që shqiptarët kanë shumë dëshirë për të jetuar. Të transmetojnë dëshirën e daljes nga shtëpia, për të kaluar ditën, që reaguan ndaj një diktature shumëvjeçare, një diktaturë mjaft mizore këtu në Shqipëri. Gjëja që nuk më pëlqen është trafiku. Kur hyn në një rrethrrotullim s’e di në ç’orë do të dalësh. Kur arrin në rrethrrotullim, është radha ime, radha jote, duhet të mbyllësh sytë dhe të vazhdosh…
Ke provuar të ngasësh makinën në Tiranë?
Jo, nuk dua t’i jap makinës. Nuk dua ta ngas sepse kur hyj në rrethrrotullim… Roma është qytet mjaft i komplikuar, por rrethrrotullimet në Tiranë… Rrezikon të hysh në dimër e të dalësh në verë.
Flet shqip?
Jo, por do të mësoj. Jo, s’e kam mësuar. Do më ndihmosh? Gëzuar festat të gjithë shqiptarëve!
Ndoshta të duhet ta mësosh medoemos shqipen për të komunikuar me futbollistët?
Unë flas katër gjuhë dhe kur isha në Rusi, mësova 60-70 fjalë. Por kur erdha këtu i thashë presidentit që do ta provoj për respekt të Shqipërisë të mësoj gjuhën shqipe. Ai më tha: “E pamundur, trajner. Është shumë e vështirë”. Por do të mësoj fjalët që duhet t’u them lojtarëve në fushë. Këtë do ta mësoj. Do të mësoj, me dy takime, me një, me të parën, të gjitha këto fjalë, duhet t’i mësoj patjetër, sepse është e drejtë t’i mësoj. Punoj në Shqipëri. Kuptoj diçka, por thuajse të gjithë lojtarët flasin italisht, s’ma hedhin dot, jam në avantazh. Do të sforcohem të mësoj disa fjalë, kjo është e sigurt.
Ku do t’i kalosh festat e fundvitit?
Do të shkoj në Amerikë. Në Miami. Sepse shkoj atje prej 25 vjetësh, kam shtëpinë, kam miqtë e ngushtë, do të nisem me tim bir dhe do të shkoj në Amerikë.
Pse në Amerikë?
Sepse kam shtëpinë prej 25 vitesh, ndihem mire atje, luaj golf, shoh basketboll, ndonjë koncert, tim bir e shëtis në plazh që të shohë ndonjë çupëlinë. Ndihem shumë mirë në Miami. Jam shumë i lumtur kur shkoj atje.
Faleminderit, mister shpresoj t’ia arrish objektivit dhe të gëzosh të gjithë shqiptarët.
Të falënderoj dhe do të bëjmë çmos që ta çojmë Shqipërinë në Euro 2020.
Top Channel