Me muzikën e Dren Abazit, 28 dhe 29 dhjetor në katedralen ortodokse

28/12/2017 14:43

Dren Abazi e pati lajmëruar që do të vinte me koncertin më të rëndësishëm e ndryshe nga të tjerët në Tiranë. Për këtë ka arsye të madhe. 10 vite karrierë nga pas dhe një album i ri, që promovohet në këtë koncert recital në mbrëmjen e 28 dhe 29 dhjetorit në sallën e koncerteve të kishës ortodokse.

“Pse një koncert ndryshe nga të tjerët. Për vetë faktin që është një koncert jubilar. Janë 10 vite. Pastaj edhe promovimi i albumit të ri. Është një paketë,” tha  Dren Abazi.

Në këtë përveç të gjitha këngëve të albumit të dytë nuk do të lihen mbrapa as këngët që janë bërë ndër vite. Nën një emër “Mes yjesh”.

“Nuk fshihet asgjë pas emrit “Mes yjesh”. Është thjesht njëra nga këngët në album. Edhe kemi menduar që është një emër pak më i pakonsumuar në raport me këngët e tjera. Përshembull unë kam qenë për “Mbreti i natës”, por vendosëm për këtë,” u shpreh Dreni.

Publiku jonë kryeqytetas do të jetë i pari që do të shijojë këtë koncert, e më pas destinacioni është Prishtina.

“Koncertin e parë  e kam bërë para 10 vitesh në Prishtinë. Mendova ta bëj këtu duke u nisur edhe prej faktit që salla është shumë e mirë dhe i ofron të gjitha mundësitë që ne të bëjmë një koncert shumë të mirë”.

Përveç Bashkisë së Tiranës, Dren ka një falenderim të veçantë edhe për Top Channel, si media partner.

“Top Channel është një media që më ka hap dyert gjithmonë dhe unë i jam shumë mirënjohës dhe falenderues,” tha ai.

 

 

 

Top Channel