Dekriminalizim për Rakipin e Rehovicën; Prokuroria kërkon heqjen e mandatit, pritet vendimi i KQZ-së

26/12/2017 16:21

Prokuroria e Përgjithshme kërkoi zyrtarisht pas disa muajsh hetime heqjen e mandateve për Aqif Rakipin e PDIU-së dhe Gledion Rehovicën e LSI-së, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.

Sipas hetimeve të prokurorisë, ata kanë qenë të arrestuar më parë në Itali për vjedhje duke përdorur të tjerë emra, por nuk i kishin përfshirë këto fakte në formularin e dekriminalizimit. Shkresa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka mbërritur mesditën e së martës me firmën e drejtoreshës të sektorit juridik në këtë prokurori, Rovena Gashit. Gjurmët e gishtërinjve të dy deputetëve ishin dërguar më herët në Itali, nga ku rezultoi se ishin në databazën e të dhënave të organeve gjyqësore italiane.

Emrat nuk korrespondonin, por fakti që gjurmët e gishtërinjve përputheshin, e bindën prokurorinë që të dërgonte drejt KQZ-së kërkesën për heqjen e mandatit për ta. Interpol Roma, e cila ka kryer procedurat pas kërkesës së palës shqiptare, i dërgoi të dhënat e dy deputetëve shqiptarë në Prokurorinë e Përgjithshme. Deputetët Aqif Rakipi, i zgjedhur në Qarkun e Elbasanit, dhe Gledion Rehovica, në Qarkun e Beratit, janë në mandatin e tyre të dytë si deputetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA