Sheshi “Skënderbej” ka qenë sot më i gëzueshëm se kurrë më parë. Krahas atmosferës festive që sjell aty thuajse çdo ditë fshati i Krishtlindjeve, sot në mbrëmje qytetarët e Tiranës ndoqën koncertin kushtuar natës në prag Krishtlindje.
Artistë të njohur shqiptarë si Kastriot Tusha, Eva Golemi, Manjola Nallbani, Suzana Frashëri, Ramona Tullumani, Ardita Menisi dhe instrumentist solist Zeqir Sulkuqi, por edhe Orkestra Philharmonike dhe kori Pax Dei nën drejtimin e Suzana Turkut, performuan këngë dhe pjesë të zgjedhura jo vetëm shqiptare, por edhe me famë botërore.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përcolli urimin e tij për të gjithë besimtarët që festojnë Krishtlindjet, ndërsa theksoi se ato janë momente gëzimi, por edhe reflektimi për këdo për të qenë më solidar dhe më të dashur me njerëzit.
“Në këtë vigjilje Krishtlindjesh dua t’iu uroj të gjithëve atyre që e festojnë, por edhe atyre që nuk janë besimtarë, Krishtlindje të gëzuara dhe shpresoj që shpirti i secilit do jetë pak më i butë, mendja pak më e hapur, zemra pak më e mirë”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se Krishtlindjet përcjellin për këdo mesazhin se asgjë nuk është e pamundur nëse ekziston dëshira. Ndaj, tha kryebashkiaku Veliaj, ky mesazh i shkon sot për shtat edhe Tiranës.
“Unë e di që ka njerëz që kanë ende dyshim, që janë ende skeptikë, por di të them që historinë e bëjnë optimistët, ata besojnë që më e mira është përpara dhe ata që besojnë që bashkëpunimi na bën më të mirë. Nëse do të vazhdojmë me këtë frymë nuk ka asgjë që na ndal që të kemi Tiranën e ëndrrave tona”, u shpreh Veliaj.
Veliaj bëri të ditur se kjo atmosferë festash do të vazhdojë edhe në javën e ardhshme, që do të kurorëzohet me koncertin e madh me rastin e Vitit të Ri.
“Gjithë javën tjetër kemi përgatitur një numër aktivitetesh, do të vijojmë në datën 31 me një koncert të madh këtu dhe fishekzjarret, kurse në datën 1 me të sapolindurit për të vazhduar me një vit me plotë energji dhe me punë të mbara për Tiranën. Qofshi gjithmonë të lumtur, gëzim, hare dhe shëndet për familjet e çdo shqiptari në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë”, u shpreh Veliaj.
Top Channel