Java e fundit e Superiores ka dhuruar 18 gola, gjatë së cilës të 5 çiftet kanë luajtur në orën 13:00 dhe thuajse gjithçka ka përfunduar sipas parashikimeve në letër.
Skënderbeu është zyrtarisht kampion i dimrit pas fitores 3-1 ndaj Teutës, në Korçë. Durrsakët kaluan të parët në avantazh me penallti, por shumë shpejt nënkampionët e Shqipërisë kanë përmbysur me 3 gola, duke mbajtur vendin e parë në klasifikim me 9 pikë nga vendi i dytë.
Edhe Partizani duket ta ketë harruar makthin e humbjes 5-0 në fundjavën e shkuar në Gjirokastër. Sërish nën drejtimin e Starovës, “të kuqtë” kanë fituar 3-1 ndaj Vllaznisë. Shkodranët e mbyllën këtë vit kalendarik në vendin e parafundit, duke rrezikuar shumë edhe për pjesën e mbetur të kampionatit.
Ndërkohë, kampionët e Kukësit janë mundur në shtëpinë e tyre nga Luftëtari, që arriti të regjistrojë një tjetër viktimë mes pretendentëve të titullit të këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga Hasan Lika ka mundur 1-2 verilindorët në fushën e tyre, falë golave të Abazajt dhe Rrocës, ndërkohë që për Kukësin ka ngushtuar diferencën me penallti Elis Bakaj.
Flamurtari ka gjunjëzuar Kamzën në shtëpinë e saj, duke e mundur me shifrat 3-0. Vlonjatët kanë harruar shumë shpejt humbjen mes polemikave në Vlorë, një javë më parë, dhe e mbyllin këtë vit të qeshur tashmë në vendin e dytë, në kuotën e 28 pikëve.
Laçi vazhdon ecurinë e rezultateve pozitive. Këtë fundjavë ata kanë mundur me shifrat 3-1 Lushnjen e vendit të fundit, e cila thuajse ka zyrtarizuar rënien nga kategoria, ende pa u mbyllur dy fazat e para të Superiores.
Top Channel