Skandalet e ngacmimeve seksuale nuk prekin vetëm botën e filmit. Një sërë orkestrash të mëdha kanë ndërprerë marrëdhëniet me dirigjentin e njohur Charles Dutoit, pas akuzave të ngritura ndaj tij për ngacmim seksual nga 4 femra, tre soprano dhe një muzikante.
Njëra prej tyre, Paula Rasmussen, e tërhequr tashmë nga skena, rrëfeu me detaje incidentin e ndodhur shtatorin e vitit 1991, kur dirigjenti me famë botërore e thirri në dhomën e tij të zhveshjes e aty e sulmoi. Që nga ai moment, Paula refuzoi të qëndronte më për ndonjë çast vetëm me të në të njëjtën dhomë. Një tjetër soprano, Sylvia McNair, theu heshtjen mbi atë që kishte pësuar pas një prove me orkestrën e Minesotës në vitin 1985, kur u gjend në të njëjtin ashensor me dirigjentin, i cili nuk kishte humbur rastin për ta ngacmuar.
Dutoit, sot 81-vjeçar, është aktualisht drejtor artistik dhe dirigjent qendror i Orkestrës Filarmonike Mbretërore të Londrës. Ai nuk ka bërë asnjë koment mbi pretendimet që e lëkundin fort imazhin e tij. Pa e pritur reagimin e dirigjentit të lindur në Zvicër, Orkestra Simfonike e Bostonit dhe ajo e San Fransiskos vendosën ta ndërpresin bashkëpunimin me të, Filarmonia e Nju Jorkut tërhoqi 5 koncerte të planifikuara të mbaheshin në muajin janar nën dirigjimin e Dutoit, e në një linjë me të ishin dhe orkestrat e Çikagos e Klivlendit, që anuluan koncertet e gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Sipas një studimi të realizuar së fundmi, ka një nivel të lartë diskriminimi dhe ngacmimi seksual në sektorin e muzikës klasike. Rreth 60% e të anketuarve nga Shoqëria e Inkorporuar e Muzikantëve (ISM) dhe BBC Radio 3 thanë se kishin përjetuar diskriminim në një farë mënyre, ndërsa shumica e raportimeve lidhet me ngacmimin seksual.
Top Channel