Uber, zyrtarisht është një kompani transporti dhe jo një shërbim dixhital. Ky është vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Kompania argumentoi se ishte një shërbim informacioni social, që ndihmonte njerëzit të kontaktonin në mënyrë elektronike me njëri-tjetrin dhe jo një firmë taksish.

Rasti u ngrit pasi Uberit iu kërkua t’u bindej rregullave lokale për taksitë në Barcelonë. Uber tha se verdikti nuk do të ndryshonte shumë në mënyrën sesi kompania vepron në Europë, por ekspertët thonë se rasti mund të ketë pasoja ekonomike.

“Vendimi nuk do të ndryshojë gjë në vendet kryesore të BE-së ku ne veprojmë bazuar në ligjet e transportit. Por sidoqoftë, miliona europianë nuk munden të përdorin aplikacione si i yni. Ndaj, ne do të vazhdojmë dialogun me qytetet europiane dhe këtë e bëjmë me qëllim që t’i garantojmë kujtdo që të sigurojë një shërbim të besueshëm me prekjen e një butoni”, tha një zëdhënës i Uber.

Sipas Gjykatës Europiane të Drejtësisë, një shërbim, qëllimi i të cilit është të krijojë lidhje përmes një aplikacioni në “smartphone” dhe që paguhet, me shoferë jo profesionistë që përdorin makinat e tyre për persona që duan të bëjnë udhëtime urbane, duhet të klasifikohet si një shërbim në fushën e transportit, nga ligji i BE-së.

Sipas ligjeve aktuale të unionit, u takon vendeve anëtare të rregullojnë kushtet, nën të cilat shërbime të tilla ofrohen në përputhje me rregullat e përgjithshme të marrëveshjes mbi funksionimin e BE-së.

Vendimi vjen pasi Uberit iu tha muajin e kaluar se kërkesa për të rinovuar licencën e saj në Londër mund të marrë vite kohë. Prania e Uber në botë shpesh ka qenë kontroverse, me protesta të mbajtura kundër saj në disa qytete. Sidoqoftë, sipas analistëve, kompania ka rritur konkurrencën në fushën e saj.

Top Channel