Prodhimet “Made in Kosova” u rikthyen në vëmendje me mbrëmjen gala të klubit të prodhuesve kosovarë. Edicioni i ri i fushatës së nisur majin e vitit të kaluar u fokusua tek arritjet, por edhe objektivat e së ardhmes.
Presidenti Hashim Thaçi e pranoi se ende nuk është arritur shkalla e dëshiruar e eksportit në vend, megjithatë ka një trend pozitiv sipas tij, ashtu siç ka edhe progres që meriton të përshëndetet.
“Kur e krahasojmë të sotmen me atë ku ishim para dy dekadave, duhet të jemi krenarë me arritjet tona. Kemi përpiluar ligje dhe po forcojmë sundimin e ligjit, që t’i mbrojmë investitorët e bizneset. Kemi ndërtuar rrugë e autostrada. Javën e kaluar u finalizua marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, që do të sjellë mbi një miliard euro investim të drejtpërdrejtë, si dhe 10 mijë vende të reja pune. Kjo do të reflektojë pozitivisht në tërë ekonominë e vendit, por edhe në imazhin dhe prestigjin e shtetit tonë”, tha Thaçi.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit të Kosovës la të kuptohej se vendi nuk duhet t’i varë shpresat tek investimet e huaja. Investimet kryesore, sipas Thaçit, janë ato që bëhen nga vet kosovarët.
“Vetëm mbi themelet e sigurta që shtroni ju do të ndërtohet ekonomia e shëndoshë e Kosovës”, shtoi ai. Presidenti, edhe urimin e fundvitit, të përcjellë nga kjo ngjarje qytetarëve të Kosovës, e shoqëroi me ftesën që t’i kremtojnë festat me produkte vendase.
Top Channel