Askush nuk e priste që Luftëtari të fitonte ndaj Partizanit me rezultatin 5-0 dhe askush nuk e mendonte se në këtë ndeshje do të shënohej edhe një super gol nga një aksion personal nga “porta në portë” i Kristal Abazaj.

“Ishte një veprim që nuk po e mendoja, shokët më thonin ke bërë një supergol, por unë po kërkoja të mbushesha me frymë. Nuk u mendova shumë, por jam i lumtur për gol, pothuaj identik si ai që i shënova një vit me parë Partizanit”, deklaroi Abazaj për Supersport duke shtuar se i gjithë ekipi ishte përgatitur seriozisht para kësaj sfide. “Jemi stërvitur mirë për këtë ndeshje dhe vinim nga rezultate pozitive. Ishte ndeshja perfekte”, shprehet ai.

Sa i përket merkatos, Abazaj dëshiron të mos bëjë komente, por shprehet se Presidenti i klubit i ka thënë se ka oferta.”Unë jam pjesë e luftëtarit. Kam një kontrate deri në qershor 2019″, shprehet ai, duke treguar më pas për eksperiencat që ka pasur si jashtë ashtu edhe brenda Shqipërisë.

“Kur isha në Itali isha 15 vjeç, bëra një provë te Genoa, shënova gol, madje dhe me ekipin të rinjve, por nuk bëra dot letrat. U mërzita që nuk luaja dhe u ktheva të Partizani. Kam qenë dhe pjesë e kombëtares. Kur u ktheva, Partizani nuk më federoi dhe shkova në Elbasan”, tregon Abazaj.

Por sulmuesi i gjirokastritëve tregon edhe se ka refuzuar Partizanin në merkaton e kësaj vere, e jo vetëm.

“Partizani më kontaktoi këtë verë, por i kam refuzuar se doja të luaja me Luftëtarin. Gjatë verës kam patur disa oferta dhe nga Greqia në Superligë. Dëshiroj të provoj jashtë, por nuk kam një ide të saktë. Thjesht dua të provoj veten”, u shpreh Abazaj për Supersport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA