Si zgjidhet presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit? Presidenti zgjidhet nga Asambleja me 66 anëtarë.

Kandidatët propozohen nga një apo më shumë anëtarë dhe në raundin e parë, fituesi zgjidhet me 44 vota, që është një shumicë e cilësuar.

Nëse nuk ka një fitues në raundin e parë, zhvillohet një raund i dytë.

Dy kandidatët që morën më shumë vota në raundin e parë kandidojnë sërish dhe fituesi shpallet me shumicë të thjeshtë.

Nga 66 anëtarët e Asamblesë, 54 janë klube futbolli dhe 12 shoqata sportive, si për shembull Shoqata e Trajnerëve, e Mjekëve Sportivë, Arbitrave të Futbollit, etj..

Por prej disa vitesh, disa klube kanë filluar të privatizohen, duke ndryshuar statusin: nga publik, në privat.

Format private të pronësisë janë shoqëri aksionere, sh.p.k. apo shoqata. Nga ana tjetër kemi ende klube në varësi të pushtetit lokal.

Sesa është raporti mes klubeve private dhe klubeve bashkiake, kjo është ende e paqartë. Por, nëse politika do të donte të ndikonte në zgjedhjen e presidentit të Federatës, këtë mund ta bënte duke ndikuar drejtpërdrejt përfaqësuesit e klubeve që varen nga bashkitë, por edhe nëpërmjet presionit të biznesmenëve që janë aksionerë mazhoritarë në klubet private.

Përmendja e emrit të deputetit socialist, Bashkim Fino, si një kandidaturë e sponsorizuar nga një klub futbolli shton frikën e përfshirjes së politikës, në një proces që duhet të mbetet tërësisht sportiv.

“Mediatikisht kam dëgjuar edhe unë për Bashkimin. Unë e njoh dhe e kam pasur shok shkolle. Nëse do të ketë projekte për të qenë këtu, pse jo. Fakti që është pjesë e Partisë Socialiste dhe nëse partia do ta kandidojë, do të ishte mirë që ta kandidonte nga selia e partisë”, u shpreh Duka në intervistën për “Top Story”.

Top Channel