Intervista e Igli Tares për Top Channel trazoi ujërat. Tare foli për “njerëzit e rinj me frymë europiane”, që duhet të jenë pjesë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pas një interviste të ngjashme të ish-kapitenit Lorik Cana, foli më në fund Armand Duka.
Në intervistën për “Top Story”-n, presidenti i FSHF-së e la të hapur kandidimin për një mandat të pestë në drejtimin e futbollit shqiptar.
“Është e drejta e Dukës të kandidojë, por më pas janë klubet ato që vendosin t’i besojnë një mandat të pestë apo jo. Por, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë duhet të ketë garë. Rivalët, apo kandidatët e tjerë potencialë, duhet të prodhohen nga komuniteti i futbollit dhe për mendimin tim nuk duhet të ndërhyjë politika”, tha Jetmir Halilaj, kryeredaktor i “Panorama Sport”.
Armand Duka e drejton futbollin që prej vitit 2002. Ndryshe nga ideja e përhapur gjerësisht, se Duka nuk ka pasur rivalë, e vërteta është se në 2002-shin, Armand Duka mundi ish-drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa”, Mehdi Bushati.
Në vitin 2006, në garë me Armand Dukën ishin Edmond Haxhija dhe Salvador Kaçaj. Në 2010-n, përballë Dukës u vu presidenti i Tiranës, Refik Halili, dhe ish-kapiteni Rudi Vata.
Vetëm në zgjedhjet e fundit nuk pati asnjë kandidat dhe zgjedhjet përfunduan me duartrokitje. Por, qëndrimi i Dukës në krye të Federatës nuk lidhet aq me kandidatët, sesa me bilancin e këtyre 16 viteve.
Gjatë këtyre viteve, futbolli shqiptar është tronditur herë pas here nga skandalet e basteve të klubeve, e disa klube janë penalizuar nga Federata dhe UEFA. Dhuna në futboll dikur ishte e përhapur, kurse sot është minimizuar.
Në 2016-n, futbolli shqiptar arriti kulmin me pjesëmarrjen e Kombëtares në Europianin “Francë 2016”. Kurse stadiumi i ri kombëtar po lartësohet përditë, pas një nisme të Federatës dhe investimeve të rëndësishme në stadiumet ekzistues.
“Në pikëpamjen menaxheriale është bërë mirë, qoftë edhe pesha që ka sot institucioni i Federatës së Futbollit apo niveli i futbollit në përgjithësi. I ka dhënë një tjetër përmasë. Pastaj, a ka të meta? Sigurisht që ka dhe ka shumë. Një ndër to, dhe problemi më i madh i futbollit tonë, është besueshmëria dhe përfshirja e futbollit në baste”, tha Jetmir Halilaj.
“Mendoj se kulmin e ka arritur në fillimin e kësaj dekade. Ka qenë një periudhë skandaloze në futbollin tonë, por për fat ka ardhur duke u ulur, qoftë nga monitorimi i vazhdueshëm i UEFA-s dhe paralajmërimet, qoftë duke u kontrolluar edhe nga kompanitë ndërkombëtare të basteve. Mendoj se tani, në këtë moment jemi në gjendje shumë të mirë”, tha Blerim Jahaj, kryeredaktor i “Sport Ekspres”.
A duhet të rikandidojë pra Armand Duka?
“Duke parë në një peshore gjërat pozitive dhe negative, mendoj se janë bërë më shumë gjëra pozitive. Për mendimin tim ka të drejtë të kandidojë, përderisa nuk shoh ndonjë kandidat serioz të mbështetur nga klubet, se edhe klubet e sulmojnë, e sulmojnë dhe në fund e votojnë po vet”, tha Blerim Jahaj.
Top Channel