Të nesërmen e dorëheqjes së Sulejman Starovës, te skuadra e Partizanit sigurisht nuk mund të ishte klima më optimale e mundshme.
Por “demat e kuq”, pavarësisht disfatës më të rëndë në vitet e fundit, 5-0 ndaj Luftëtarit, vendosën të mos e pranojnë largimin e trajnerit veteran të skuadrës kryeqytetase.
“Presidenti Demi dhe drejtuesit nuk e kanë pranuar dorëheqjen e Starovës. Të gjithë në skuadër duhet të marrin përsipër përgjegjësitë për atë paraqitje aspak dinjitoze, që ekipi dhuroi në Gjiroakstër. Lojtarët duhet të tregojnë në fushën e lojës vlerat morale dhe sportive, për të mbrojtur me dinjitet ngjyrat e uniformës së nderuar të Partizanit”, thuhet në komunikatën e klubit.
Menjëherë pas rikthimit të tij, Sulejman Starova sqaron për Top Channel:
“Vlerësoj besimin e presidentit Demi që nuk e pranoi dorëheqjen time. Duke i kërkuar falje tifozerisë së Partizanit për dështimin e Gjirokastrës, premtoj përkushtim për të bërë më të mirën për skuadrën e zemrës. Pak durim”, deklaroi Starova në reagimin e tij.
Sulejman Starova, që mori drejtimin e “demave të kuq” pas shkarkimit të Mark Iulianos, arriti ta përmirësojë renditjen dhe lojën e ekipit, por sërish Partizani mbetet jashtë objektivave. Nga një skuadër e dizenjuar për titullin, kryeqytetasit tani janë në vendin e 6, me 21 pikë.
Top Channel