Pas dy humbjeve radhazi dhe eliminimit në Kupë, Vllaznia rikthehet te fitorja, e këtë e bën ndaj një prej skuadrave surprizë të sezonit, Kamzës.
Formacioni kuqeblu ka mundur në Shkodër, me rezultatin 3-2 Kamzën.
U duk gjithçka e lehtë për formacionin e drejtuar nga Ernest Gjoka, shumë i kritikuar javën e fundit, kur në minutën e 18 erdhi goli i parë i takimit. Ishte Andi Ribaj, që shfrytëzoi një kundërsulm për të ndryshuar shifrat e takimit.
Përpjekjet e Kamzës në pjesën e parë ishin modeste, ndërkohë që Vllaznia e rriti epërsinë me Cinarin, që në minutën e 47 shënoi golin e dytë.
Ky avantazh sikur e qetësoi më shumë se ç’duhet Vllazninë, që lëshoi pak në lojë. Nga kjo situatë përfitoi Plaku, për të shkurtuar diferencën në minutën e 49.
Gjoka i dha besim një prej talenteve të skuadrës shkodrane, Kalasë, që shënoi edhe golin e tretë. Goli i Imerit në minutën e 78 shërbeu vetëm për statistikë.
Me këtë rezultat, Vllaznia kapërcen në klasifikim Luftëtarin, me dy pikë më shumë, në pritje të përballjes që gjirokastritët do të kenë të dielën me Partizanin.
Top Channel