Lushnja provoi më të mirën e saj në përballjen me kryesuesit e kampionatit, por nuk ia doli të merrte një rezultat pozitiv, në takimin që ngriti siparin e javës së 15 të Superiores.

Me rezultatin 1-3 u mbyll takimi i luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku lufta sportive mes dy skuadrave që ndajnë ekstremet e tabelës së klasifikimit ishte shumë e lartë.

Korçarët u imponuan me cilësinë e lojës së tyre, edhe pse terreni ishte i rënduar nga reshjet. Vetëm pas 4 minutash lojë, James Adeniyi kaloi në avantazh korçarët.

Goli nuk i stepi të besuarit e Hysen Dedjes dhe i zakonshmi Faton Sefa, në minutën e 29 vendosi barazinë në rezultat. Në limitin e pjesës së parë, Gavazaj riktheu korçarët në avantazh.

Përpjekjet e Lushnjës në pjesën e dytë ishin maksimale, por Skënderbeu ishte shumë i fortë për ta. Në një aksion të vrullshëm, minuta e 81-të ka parë portierin Spaho të tentojë të ndalojë Muzakën, arbitri ka sinjalizuar goditje dënimi dhe një karton të kuq për Spahon. Dyshimet e lushnjarëve krijuan edhe moment nervozizmi.

Godtija e dënimit e ekzekutuar nga Radas ishte e pakapshme për mbrojtësin Canka, që mori vendin e portierit Spaho, ndërsa Lushnja kishte kryer të gjitha zëvendësimet.

Skënderbeu ngjitet në kuotën e 34 pikëve, ndërsa Lushnja mbetet e fundit në renditje me vetëm 8 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA