Pasi shkroi librin e parë në vitin 2002, por edhe më pas, njerëzit e pyesnin si ishte e mundur që dikush që punonte si prokuror, ulej të shkruante romane. Ishte njeriu i ligjit. Për shumë vite, Gianrico Carofiglio ka qenë gjykatës dhe zëvendësprokuror i Antimafias në Bari.

“Unë u thosha që duhej ndryshuar pyetja. Duhej pyetur sesi kishte mundësi që një djalë i vogël, i cili donte të bëhej shkrimtar kur të rritej, nuk kishte shkruar asnjë fjalë për vite me radhë, por kishte punuar si prokuror. Dhe unë s’e kam një përgjigje. Ose mbase e kam. Kur e dëshiron diçka vërtet shumë, dhe unë kisha shumë dëshirë të bëhesha shkrimtar, ke frikë ta provosh. Nëse e provon, duhet të pranosh edhe idenë që mund të mos jesh i aftë. Besoj se nuk kam shkruar për shumë vite, nga frika e mundësisë që të mos kisha sukses”, tha Gianrico Carofiglio.

Siç pohon te romani “Dyshime të arsyeshme”, historitë janë një instrument për t’i dhënë kuptim kaosit. Historitë janë gjithçka kemi.

Gianrico, i biri i një shkrimtareje, është sot një nga autorët më të suksesshëm në Itali, përkthyer në 28 gjuhë. Romani i tij i 13 dhe i fundit “Tre e mëngjesit”, renditet aktualisht më i shituri pas Dan Broën.

Shkruan të ashtuquajturin “Triller Ligjor” dhe personazhi i avokat Guerrierit është heroi, që libër pas libri ka fituar zemrat e lexuesve. Edhe te “Rregulli i Ekuilibrit”, romani i parë i përkthyer në shqip, ku temë qëndrore janë drejtësia dhe korrupsioni.

“Ma kanë vënë këtë etiketim, në kuptimin që unë kam shpikur trillerin ligjor italian. Mbase është e vërtetë, në kuptimin që më parë nuk ka pasur romane realistë të mjedisit gjyqësor. Përparësia ime për të shkruar këtë lloj romani, është që e di sesi funksionojnë. Shumica e shkrimtarëve që merren me këto gjëra – dhe nuk janë shumë – nuk dinë. Mekanizmi është shpesh shumë i brishtë. Shpesh krijohet ndjesia që aty mungon e vërteta. Unë besoj se rrëfimi i një procesi gjyqësor, rrëfimi i hetimit nga pikëpamja e gjykatësve dhe e avokatëve, është një skenar mahnitës për të kuptuar natyrën njerëzore”, tha më tej Gianrico Carofiglio.

Nga viti 2007 deri në 2013-n, pas një propozimi të Sekretarit të Partisë Demokratike të kohës, Veltroni, Gianrico braktis sistemin gjyqësor dhe hyn në Senat. Stacioni i radhës bëhet politika.

“Ma bëri propozimin sidomos për arsyen se isha shumë i njohur si shkrimtar. Kjo është e rëndësishme. Gjykatësit nuk duhet të përdorin karrierën në gjyqësor për t’u futur në politikë. Unë ndenja 5 vite në Parlament. Jo si politikan, por si parlamentar. Hyra në territorin e kundërshtarit, nëse mund ta quajmë kështu. Pas 5 vitesh vendosa të mos kandidoj më. Kuptova që puna ime e parë ishte tashmë të isha shkrimtar. Mendova që kur dikush është prokuror, për respekt të institucionit, për respekt të qytetarëve, duhet ta ketë si punë të parë. Është çështje dinjiteti. Pikërisht për të mos turpëruar mënyrën sesi kisha punuar më parë si prokuror, mendova se ishte më etike, më korrekte, që të largohesha. Dhe mendoj se bëra mirë”, deklaroi Gianrico Carofiglio.

I lindur në Bari, sot 56 vjeç, Carofiglio udhëton anekënd botës për të prezantuar librat e tij, pa harruar punën si prokuror pikërisht në vitet e luftës më të ashpër ndaj mafies në Itali.

“Personalisht s’kam pasur kurrë frikë. Unë e shihja si një punë që duhej bërë, e nëse dikush vendoste ta bënte, kishte pak vend për t’u shqetësuar. Duhet thënë që në të gjitha vitet që kam punuar kundër organizatave të rrezikshme kriminale, kam pasur mbrojtje shumë të mirë. Shteti më garantoi mundësinë që ta bëj punën nën kushte sigurie. Ka qenë punë shumë interesante, edhe sepse kam punuar me këto hetime e këto gjyqe sidomos në vitet ’90, që ka qenë periudha më e tmerrshme. Ndodhën masakrat mafioze, sulmi që i bëri mafia shtetit, por ka qenë edhe pjesa më interesante, sepse, më shumë se kurrë, kemi pasur ndjesinë se mund të ishim vendimtarë për ta ndaluar atë sulm”, rrëfen Gianrico Carofiglio.

Dhe e bëtë…

“Dhe e bëmë vërtet. Kjo duhet thënë, sepse shumë e harrojnë. Por ajo që ndodhi në vitet ’90 ishte mposhtja e krimit të organizuar në shumë zona të territorit kombëtar, ose zvogëlimi në përmasa më të pranueshme. Në ato vite, ne i ndaluam me hetime, arrestime e gjyqe shumë të shpejta, që çuan në burgime të përjetshme, ose dënime shumë të gjata, për shumicën e krerëve më të rrezikshëm”, tha Gianrico Carofiglio.

E në fund, Carofiglo flet edhe për vettingun dhe atë që mund të bëhet në sistemin shqiptar të drejtësisë.

“Punën e vërtetë e bën Gjyqësori, Policia. Ata e godasin korrupsionin me veprime konkrete. Korrupsioni gjyqësor është vërtet më i keqi, sepse, nëse qytetari nuk ka besim te gjykatësit, të cilët duhet të vendosin se ç’është e drejtë dhe e gabuar, nuk ka besim në asgjë. Duhen mjete të ndryshme për të goditur korrupsionin gjyqësor. Duhen hetues të pavarur, në radhë të parë, rregulla të sakta për sa u përket përgjimeve, sekuestrimeve, e sidomos agjentëve të infiltruar. Por mjeti më i fuqishëm mbetet verifikimi i pasurisë. Duhen identifikuar pasuritë e pajustifikuara”, tha Gianrico Carofiglio.

Politika duhet t’u japë rregulla e mjete gjykatësve që duan ta bëjnë punën me ndershmëri e saktësi. Por duhet të ketë edhe ndërgjegje kolektive. Jo individët, por grupet e ndërgjegjësuara janë ata që mund të sjellin reforma e të ndryshojnë historinë.

Top Channel