Bayern, tre pikë të vuajtura në Stuttgart. Këlni arrin fitoren e parë

16/12/2017 17:31

Për të tretën ndeshje me radhë, Bayern Munchen nuk arrin të shënojë më shumë sesa një gol në duelet e Bundesligës, por këtë të shtunë mund të konsiderohet edhe me fat, që nuk humbi dy nga 3 pikët e fituara.

Dueli me Stuttgartin në transfertë rezultoi më i vështirë nga sa parashikohej për gjigantët bavarezë, të cilët i falen këmbëve të Thomas Muller, për golin e shënuar, por edhe atyre të Akolo për penalltinë e humbur në minutën e fundit shtesë për vendasit.

Bayern thellon edhe më shumë distancën ndaj Schalke 04 të vendit të dytë, në 11 pikë, pasi “mbretërorët blu” rrëmbyen me shumë mund një pikë të vyer në fushën e vështirë të Eintracht Frankfurtit, përballë të cilëve ishin në disavantazh të dy golave, për të barazuar gjithçka në minutat e fundit të takimit.

Një tjetër takim dramatik ishte ai mes Augsburgut dhe Freiburgut për mesin, apo pjesën e dytë të klasifikimit, një ndeshje që u mbyll në barazim 3-3, teksa edhe këtu dy gola u shënuan në shtesë.

Fitorja e parë për Këlnin vjen vetëm në javën e 17 të kampionatit gjerman, kur kanë mposhtur Wolfsburgun 1-0 në fushën e vet, e tashmë ngjiten në kuotën e 6 pikëve, shumë larg mbijetesës, që për momentin është e fiksuar në kuotën e 17 pikëve të Mainzit dhe Stuttgartit.

Ndeshja tjetër, mes Werder Bremen dhe Mainz përfundoi gjithashtu në barazim 2-2.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA