Zbulohen në Vatikan dy piktura të Rafaelit

15/12/2017 10:46

Dy piktura të mjeshtrit të madh të Rilindjes italiane, Rafaeli, u zbuluan gjatë pastrimit dhe rinovimit të një dhome brenda muzeve të Vatikanit.

Ekspertët besojnë se bëhet fjalë për veprat e fundit të piktorit të shuar në moshën 37-vjeçare në vitin 1520. Është një ndjesi e jashtëzakonshme, u shpreh drejtuesi i projektit të restaurimeve të Selisë së Shenjtë, Fabio Piacentini.

“Të dish që këto ishin ndoshta pikturat e fundit të realizuara prej tij gjatë jetës së vet të bëjnë pothuajse ta ndjesh praninë e maestros”, vazhdon kryekuratori.

Figurat e dy grave, njëra nga të cilat përfaqëson drejtësinë dhe tjetra miqësinë, janë krijuar diku rreth vitit 1519, por Rafaeli vdiq përpara se të mbaronte pjesën tjetër të dhomës. Dorën e fundit, mureve të mbetura ia dhanë artistë të tjerë dhe veprat e Rafaelit u harruan. Në vitin 1508, Papa Julius II i kërkoi të pikturonte apartamentet e tij private. Artisti përfundoi tre ambiente, të njohura sot si “Dhomat e Rafaelit”, duke i mbushur me afreske të famshme siç është “Shkolla e Athinës”. Paskësaj, nisi të thurë plane për një dhomë të katërt, më e madhja nga të gjitha, e cila ishte praktikisht një sallon banketesh që mban emrin “Holli i Konstantinit”.

Ideja e tij ishte të përdorte në këtë rast bojrat e vajit në vend të teknikës tradicionale të afreskut. Dhe pikërisht këtu nisi punën me dy figurat e grave në vaj, të cilat vetëm pasi filloi pastrimi i mureve të hollit tani vonë u vu re se ishin ndryshe nga pjesa tjetër e dhomës. Nga ky moment, hynë në skenë ekspertët që përmes pajisjeve ultra-violet e infra të kuqe vërtetuan se bëhej fjalë për piktura të veçanta e verifikimet më të hollësishme gjetën elementë tipikë të Rafaelit, duke konfirmuar se ishin krijime të mjeshtrit të madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA