Gara për kreun e VV, tensione të brendshme në partinë që themeloi Albin Kurti

15/12/2017 19:54

Vetëvendosja në Kosovë, nga mënyra e strukturimit mund të konsiderohej pa frikë si organizata më hermetike për sa i përket unitetit, por edhe mosrrjedhjes së informacioneve.

Ndaj për shumëkënd, përçarja që u shpërfaq nga një mesazh i një prej anëtarëve të Kryesisë ishte e papritur. Fraza e thënë gjatë një diskutim në grup, në një platformë sociale, mund ta çojë partinë edhe në ndarje.

Por kryetari Visar Ymeri, i cili e mori partinë nga Albin Kurti në vitin 2015, nuk pranon ekzistencën e fraksioneve. Në një intervistë ku Visar Ymeri doli kundër Albin Kurtit, i cili sot ndodhet në burg, ai për herë të parë në publik flet për dallime.

“Problemi i vërtetë sipas mendimit tim, që po zgjat prej një kohe të gjatë tani në Lëvizjen Vetëvendosje, është një mospajtim thelbësor që kanë persona të ndryshëm brenda Vetëvendosjes, pra të strukturave drejtuese për atë sesi do të duhej që në të ardhmen ta kemi Vetëvendosjen si organizatë politike dhe cili është ai mekanizëm apo metodë që do ta siguronte demokracinë e brendshme në VV”, deklaroi kryetari aktual Visar Ymeri.

Përçarja vjen në momentin më të suksesshëm politik për Vetëvendosjen. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mori më shumë vota si forcë politike, sesa të gjitha partitë e tjera. Brenda partisë ka nga ata, që thonë se e gjithë kjo bëhet për të penguar Albin Kurtin për të rikandiduar.

Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë dhe deputet i Vetëvendosjes, tregon se situata nisi me kushtet që vendosi deputeti tjetër, Dardan Molliqaj.

“Ekziston një grup, ku Dardan Molliqaj pretendon që do të ndahet nga Lëvizja Vetëvendosje në rast se nuk plotësohen 4 pika, njëra prej të cilave ka qenë kandidimi i Albin Kurtit. Të thuhet që, për shkak se ekzistojnë dallimet në metoda organizative, e për shkak të këtyre dallimeve duhet të mos kandidojë zoti Kurti për kryetar, kjo është diçka që nuk ka të bëjë fare me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë dhe deputet i VV.

Pas daljes së mesazhit që tregoi diferencat në parti, Aida Dërguti dha dorëheqjen si anëtare e Kryesisë. Në skenë doli hapur deputeti Dardan Molliqaj, që dha versionin e tij të situatës.

“Ajo çfarë kam parë nga zoti Kurti në këtë periudhë është një fundamentalizëm politik. Kjo nënkupton një kthim në rrënjët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse në 2015-2016 është dashur të hedhim gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të ndalur formimin e Zajednicës dhe miratimin e Demarkacionit, sot nuk kemi nevojë për demarkacion, sepse sot nuk ka shumicë prej 2/3-tave për ta miratuar. Kohët e fundit kemi nisur një diskutim për çështjen e bashkimit kombëtar, por mendoj se dallimi është mënyra sesi e shtrojmë bashkimin kombëtar. Unë shoh një shtim të folklorizmit në raport me bashkimin kombëtar”, thotë Dardan Molliqaj, deputet i VV-së.

Mandati i kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri mbaron në shkurt, por të dielën, me mbajtjen e Këshillit të Përgjithshëm, i hapet rruga zgjedhjeve në parti. Nuk dihet sesa do të ndikojë kjo në shuarjen e tensioneve, por në skenën politike kosovare, të gjithë mundohen t’i japin një shpjegim asaj që po i ndodh partisë opozitare në kulmin e suksesit politik.

Analisti Enver Robelli thotë se, në një parti ku pengohet dikush si Kurti të kandidojë, vetëm demokraci nuk ka, ndërsa sherret po shpërfaqin para opinionit marrëzi dhe intriga. Ndërsa Haki Abazi sheh konsipiracion, duke parë lojën e shërbimeve informative, që sipas tij duan të ndikojnë jetën politike në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA