Shtëpia e Abatit, ish-selia e “Bashkimit”, objekt i mbrojtur

14/12/2017 16:32

Në Shkodër i thonë ‘Shtëpia e Abatit’, ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes. Ministrja e Kulturës vizitoi shtëpinë e Abat Doçit, një objekt me rëndësi historike e kulturore, për të cilin tha se është shpallur objekt i mbrojtur nga kjo ministri.

“Është në fakt një ndër situatat e shumta që ne kemi në të gjithë Shqipërinë, ku objekte të cilat kanë vlera historike për shkak të ngjarjeve shumë të rëndësishme për kulturën e kombit tonë, por edhe për alfabetin e shqipes, pa edhe një interes tjetër arkitekturorë për shkak të elementeve të veçantë të arkitekturës së godinës. Ne e kemi futur në mbrojtje para disa ditësh këtë objekt dhe jemi në shqyrtim të kategorisë së statusit që do t’i japim”, tha ministrja Mirela Kumbaro.

Statusi i pronësisë së kësaj godine është i paqartë, por pavarësisht kësaj ministria ka hyrë në bisedime me ata që nuk dihet ende nëse janë apo jo pronarët e këtij objekti, por që janë mbajtës të çelësave të saj.

“Kushdo që ka çelësin e këtij objekti nuk mundet ta mbajë këtë çelës vetëm si pronë private. Ligji na jep të drejtën, por na ngarkon edhe me detyrën që çfarëdolloj objekti që ka një vlerë historike, që ka një vlerë kulturore dhe një vlerë të trashëgimisë materiale, duhet t’i përgjigjemi edhe këtij interesi publik. Përtej faktit që dikush preferon pronësinë e një objekti, është po ashtu e drejta e qytetit të Shkodrës që të ketë një tjetër qasje ndaj këtyre objekteve”, deklaroi Kumbaro.

Ministrja shtoi se çdo bashkëpunim është i rëndësishem për ta restauruar këtë banesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA