Më shumë se 60 mijë vdekje të parakohshme në Europë mund të parandalohen gjatë dekadës së ardhshme, nëse merren masa urgjente ndaj ndotjes së ajrit nga centralet më të pista të qymyrgurit në Europë.

Në artikullin e tyre të përbashkët, Dragana Mileusniç, koordinatorja e politikës energjetike për Europën Juglindore te “CAN Europe”, koalicioni më i madh i klimës në Europë, dhe Ioana Ciuta, e grupit “CEE Bankëatch”, thonë se përdorimi i qymyrit në Ballkan për qëllime energjetike po kushton jetë njerëzish.

“E shpërndarë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, një flotë prej 16 impiantesh të periudhës komuniste është përgjegjëse”, shkruajnë ato, duke cituar Aleancën e Shëndetësisë dhe Mjedisit për pothuajse të njëjtën sasi emetimesh ndotëse sa të 296 centralet e BE-së të marra së bashku.

“Trajtimi urgjent i këtij burimi të ndotjes do ta zbuste disi gjendjen e komuniteteve, që kanë paguar çmimin e madh të mbështetjes së vendit të tyre te qymyrguri për dekada të tëra”, vazhdon shkrimi.

Aty përmenden në mënyrë të veçantë centralet rajonale të linjitit, të cilat, – nga sa pohojnë Mileusniç dhe Ciuta, – kanë lëshuar një koktej ndotësish të rrezikshëm për jetën, ku përfshihen oksidet nitrike, shkaktare të shiu dhe smogut acid, si dhe grimca të imëta “PM 2.5”, aq të vogla sa të depërtojnë thellë në traktin respirator.

Këto grimca mund të ndikojnë te funksionimi i mushkërive e të përkeqësojnë kushtet mjekësore, si astma dhe sëmundjet e zemrës.

Studimet shkencore e lidhin ekspozimin e përditshëm ndaj “PM 2.5” me rritjen e pranimeve në spitale të rasteve me probleme të frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare, vizitat urgjente nëpër klinika, e madje edhe vdekjet.

Në vende si Mali i Zi apo Serbia, që kërkojnë hyrjen në BE, pajtimi me rregullat e strikta të bllokut sa i takon emetimeve të dëmshme duhet konsideruar i një rëndësie kyçe, por deri tani gjërat pak kanë lëvizur në këtë drejtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA