Me nominimin e siguruar në çmimet “SAG”, Margot Robbie i sheh të shumëfishuara gjasat për sukses në mbrëmjen e madhe të çmimeve “Oscar”.
“Nuk arrija t’u besoja veshëve”, tha e entuziazmuar bukuroshja australiane, që siguroi kandidimin falë portretizimit të shkëlqyer të bërë patinatores olimpike amerikane, Tonya Harding, në filmin biografik “I, Tonya”, për të cilin 27-vjeçarja ka punuar edhe si producente.
Nominimet e “Screen Actors Guild Awards” vijnë vetëm dy ditë pas atyre të “Golden Globe” dhe e çimentojnë pozicionin e Robbiet si favorite për “Oscar”.
E rritur në brigjet e Queenslandit dhe shumë larg pistave të patinazhit, aktores iu deshën muaj të tërë stërvitjeje për t’ia dalë mbanë me rolin e vështirë të Harding.
Ndër emrat e tjerë të përmendur në të njëjtën kategori me të ishte dhe ai i aktores veterane Judi Dench, Frances McDormand për “Three Billboards”, Sally Hawkins për “The Shape of Water” dhe Saoirse Ronan, për interpretimin te “Lady Bird”.
Ceremonia e çmimeve “SAG” e ndryshoi pak trajektoren e garës së formëzuar nga “Golden Globe”, duke anashkaluar nga lista e më të rëndësishmëve të preferuarin e këtyre të fundit, “The Shape of Water”, e duke përfshirë aty filmin “The Big Sick”, i cili mbeti pa nominime te “Globi i Artë”.
Top Channel