Thirrjes më të fundit për aplikim nga shoqëria civile për një vend vakant në Këshillin e Lartë të Prokurorisë i janë përgjigjur 5 përfaqësues të shoqërisë civile.
Por komisioni përkatës pranë Avokatit të Popullit ka klasifikuar vetëm Entela Hoxhajn si aplikante që plotëson të gjitha kriteret formale. Katër aplikantëve të tjerë u është dërguar shkresë për plotësim dokumentacioni.
Sipas ligjit kryetari i Komisionit të Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit i përcjell Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një listë me emrat e jo më shumë se 10 kandidatëve që kanë marrë më shumë pikë, por në çdo rast jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante.
Pra, për një vend që i takon shoqërisë civile në Këshillin e Lartë të Prokurorisë duhet që të mbërrijnë në Kuvend minimalisht 3 kandidatë.
Thirrja e fundit që shoqëria civile të nxitojë erdhi edhe këtë të shtunë nga kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Visha.
Formula për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte pika e fundit për të cilën u arrit konsensus në negociatat e gjata të 21 korrikut.
Nëse 6 anëtarë vijnë nga sistemi, 5 të tjerët zgjidhen: 2 nga avokatia, 2 nga trupa e pedagogëve të drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile. Aktualisht mungojnë vetëm kandidatët e shoqërisë civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ngërçi për zgjedhjen e kryeprokurorit nuk do të ishte kaq i fortë nëse shoqëria civile do të angazhohej për të zënë vendet e saj në sistemin e ri të Drejtësisë, me po të njëjtin zell me të cilin protestonte për votimin e Kushtetutës së 21 korrikut në 2016-ën. Që nga pranvera ku nisën thirrjet e para për kandidim për organizatat joqeveritare janë treguar më apatiket në këtë drejtim.
Zbatimi i reformës në drejtësi ka kaluar në shumë ngërçe. Veç atyre politike shkak për zvarritjen e ngritjes së Institucione të reja të drejtësisë është bërë dhe pamjaftueshmëria e njerëzve të kualifikuar.
Top Channel