Fundjava ka rezervuar atë që përkufizohet si ‘Derbi i Italisë’, ndeshjen mes Juventusit dhe Interit. Përballë janë dy prej skuadrave që janë në garë për titullin kampion të Serisë A, ndërkohë që një sfidë më vete është edhe ajo e dy sulmuesve argjentinas, Mauro Icardi dhe Gonzalo Higuain.
Kapiteni i Interit po ecën me ritme rekord dhe një mesatare golash fantastike; 16 gola në 15 ndeshje është një shifër më e lartë se ajo e regjistruar nga Higuain në vitin e tij të fundit te Napoli, kur vendosi edhe rekordin me 36 gola të shënuar. Kështu që për Icardin është logjike të mendohet se synim nuk është vetëm titulli me Interin, por edhe thyerja e rekordit të bashkëkombasit të tij, që këtë vit me Juventusin po ecën me ritme më të ngadalta.
Por sfida e ‘Allianz Stadium’ në Torino mes Icardit dhe Higuain është edhe ajo e Botërorit 2018. Të dy këta sulmues kërkojnë të jenë në Rusi dhe Icardi për momentin ka një avantazh kundrejt Higuain, duke e fituar besimin e Sampaolit. Megjithatë trajneri i nënkampionëve të botës ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar, pasi 6 muaj është një kohë e gjatë si për trajnerin ashtu edhe për futbollistët.
Top Channel