Java e 14 e Kategorisë Superiore, që do të luhet këtë fundjavë, do të hapet me ndeshjet e dy ndjekësve kryesorë, pas surprizës me emrin Kamza, të Skënderbeut të shkëputur në krye të klasifikimit, Kukësi kampion në fuqi dhe Flamurtari, që po kalon një moment të mirë këtë sezon por dështoi të merrte fitoren ndaj Luftëtarit.
Verilindorët e drejtuar nga Milinkoviç do të kërkojnë të rikthehen te fitorja të shtunën e 9 dhjetorit në orën 14, teksa do të presin në “Zeqir Ymeri” ekipin e fundit të renditjes, Lushnjen, për të mos humbur më shumë terren kundrejt “ujqërve të dëborës”.
Ndërkohë, po të shtunën por në orën 17 do të luhet takimi mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, me vlonjatët që kanë mbetur në vendin e katërt të renditjes pas barazimit në Gjirokastër, me pikë të barabarta me Kukësin. Shkodranët, nga ana tjetër do të tentojnë të sigurojnë një rezultat pozitiv, që do t’i mbante ata jashtë zonës së ftohtë të rënies nga kategoria.
Përballjet e javës së 14 do të vazhdojnë të dielën me dy sfida në orën 14 dhe një në 17.
Skënderbeu do të luajë në transfertën e vështirë të Laçit, ndërsa Kamza e surprizave do të presë gjirokastritët e Luftëtarit. Gjithçka do të mbyllet pasditen e së shtunës me duelin mes Partizanit dhe Teutës, me “të kuqtë” që tentojnë prej disa javësh të rikuperojnë sa më shumë pikë të munden pas atij fillimi zhgënjyes nën drejtimin e Mark Iulianos.
JAVA e 14 e KATEGORISË SUPERIORE
E SHTUNË, 9 DHJETOR
14:00 – KUKËSI-LUSHNJA
17:00 – FLAMURTARI-VLLAZNIA
E DIEL, 10 DHJETOR
14:00 – LAÇI-SKËNDERBEU
14:00 – KAMZA-LUFTËTARI
17:00 – PARTIZANI-TEUTA
Top Channel