“Serbia nuk duhet të thotë nëse e njeh Kosovën, por duhet të veprojë sikur ta ketë njohur atë”. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli në një intervistë për “Deutsche Welle”-n.
Kryediplomati i Kosovës e pranoi se Serbia mund të ndikojë rajonin dhe se Kosova, që ndan një kufi të gjatë me të, është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me Beogradin.
I pyetur nëse ai mendon vërtet se Serbia do ta njohë pavarësinë, Pacolli, i cili foli në serbisht gjatë intervistës, u përgjigj: Një ditë po!
Ministri i Jashtëm tha se beson shumë në mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve dhe theksoi se vendi i tij nuk ka reaguar ndaj të ashtuquajturave provokime për muaj me radhë, ndërsa politikanët serbë janë lejuar të vizitojnë Kosovën.
Lidhur me një ndarje të mundshme të vendit, numri një i diplomacisë kosovare citoi planin e Ahtisaarit që specifikon se nuk mund të ketë ndarje dhe bashkime me ndonjë shtet tjetër.
“Koha kur kufijtë mund të ndryshonin ka kaluar”, ishin fjalët e Pacollit.
“Deutsche Welle” raporton se ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse do të ketë bashkim kombëtar. Ai u mjaftua të thotë se do të kenë marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë dhe do të zhvillojnë mbledhje të përbashkëta të qeverive.
“Ne jemi drejtuar nga Europa dhe e dimë se kufijtë një ditë nuk do të kenë asnjë kuptim”, deklaroi Pacolli.
Top Channel