Më në fund, pas 15 javësh Benevento ka arritur të marrë pikën e parë në Serinë A. Skuadra debutuese numëronte 14 humbje radhazi, por sot arriti të ndalë Milanin dhe t’i prishë debutimin Gennaro Gattusos, në krye të pankinës së Milanit.
Bonaventura kaloi kuqezinjtë në avantazh, mnë minutën e 38′ të pjesës së parë, pas një rrëmuje në zonë, por Benevento reagoi menjëherë sapo filloi pjesa e dytë dhe barazoi me anë të sulmuesit rumun Puscas.
Vetëm 7 minuta më pas Kaliniç dërgon topin në rrjetë dhe kalon edhe njëherë në avantazh skuadrën e Gattusos, ndërsa në minutën e 75′, Romagnoli lë Milanin me 10 futbollistë, pas kartonit të dytë të verdhë.
Benevento nuk u dorëzua dhe kuptoi se sot mund të ishte dita ideale për të marrë pikën e parë në kampionat. Në minutën e katërt shtesë, ishte portieri Brignoli që shkoi në ndihmë të sulmit dhe goditi me kokë duke barazuar rezultatin.
Benevento merr pikën e parë në kampionat, pikërisht në javën e 15 dhe me golin deçiziv të portierit. Nga ana tjetër, Milani i Gattusos nuk ndryshon aspak nga ai i Montellës së shkarkuar pak ditë më parë.
Top Channel