Sekuestrohet “Santa Quaranta”, dhjetra efektivë në hotelin e Klement Balilit

24/11/2017 12:01

Policia e Shtetit ndërhyri paraditen e së premtes në kompleksin “Santa Quaranta” në Sarandë, në pronësi të familjes Balili.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestron preventive për mostjetërsimin e disa pronave të kësaj familjeje. Pjesë e kërkesës së organit të akuzës është ish kampi i pushimit të punëtorëve, aktualisht hotel “Santa Quaranta” në Sarandë, 28.690 metër katror truall si dhe 36 apartamente e njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 2178 metër katror.

Këto pasuri do të administrohen tashmë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave. Policia fton këdo që ka të dhëna apo informacione për identifikimin apo zbulimin e pasurive dhe aseteve të tjera në pronësi të Balilit, të telefonojnë në numrat e policisë, duke iu garantuar anonimati.

Klement Balili, ish-kreu i transporteve në qytetin bregdetar vijon të jetë në kërkim policor prej më shumë se një viti për llogari të drejtësisë greke si dhe asaj shqiptare.

Ai ka arritur t’i shpëtojë disa operacioneve policore për kapjen e tij ku dyshohet se ka patur edhe dekonspirim në radhët e uniformave blu. Efektivët e policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në të gjitha dhomat dhe ambientet e Kompleksit “Santa Quaranta”.

Emri i Klement Balilit u bë i njohur në maj të 2016-ës ku pas një hetimi të DEA-s amerikane  dhe autoriteteve helene ai cilësohej si kreu I një organizate kriminale të trafikimit të drograve të forta nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në vendet e BE-së. I njohur ndryshe si “Eskobari” i Ballkanit, Klement Balili njihej edhe si një person me njohje të forta dhe mbështetje politike në Shqipëri.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA