“Foxconn”, një furnizues kryesor i “iPhone”-ve të Apple, thotë se ka ndaluar punëtorët që të punojnë jashtë orarit në fabrikat e tij në Kinë.
Kjo vjen pas një raporti të “Financial Times”, që zbuloi të paktën 6 nxënës që punonin 11 orë në ditë në fabrikën e tij të “iPhone X”, në provincën Henan.
Praktika ishte në shkelje të ligjit kinez, që ndalon punën e fëmijëve mbi 40 orë në javë. Rreth 3.000 nxënës raportohet se janë punësuar në impiantin në Zhengzhou. Apple thotë se nxënësit e shkollës tetëvjeçare punojnë vullnetarisht, por ata nuk duhet të lejohen të punojnë me orare të zgjatura.
Si gjiganti i teknologjisë, ashtu edhe “Foxconn” kanë thënë se ata janë kompensuar.
“Apple është e dedikuar t’i sigurojë kujtdo në zinxhirin e saj të furnizimeve, trajtim dinjitoz dhe respektin që meriton”, tha kompania në një deklaratë për shtyp. “Ne e dimë se puna jonë nuk mbaron kurrë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi për të pasur pasoja pozitive dhe për të mbrojtur punonjësit në zinxhirin tonë të aktivitetit”.
Grupi teknologjik “Foxconn”, që operon një program “intershipi” në fabrikën kineze, tha për BBC se kishte marrë masa të menjëhershme për të garantuar që asnjë bashkëpunëtor të mos bëjë punë jashtë orarit të caktuar.
Këta bashkëpunëtorë, sipas grupit, përbëjnë një përqindje shumë të vogël të forcës së tij punëtore në Kinë dhe se shkelja e ligjit të punës nuk është në përputhje me politikat e tij. Kompania tajvaneze raportohet se kishte pajtuar nxënësit në shtator, për të përballuar kërkesat për “iPhone”-in e ri X.
Top Channel