Ajo është një lojë perfekte mes dy burrave për të njëjtën grua, me statuse te ndryshme sociale, por edhe personale ndaj saj. Njëri është bashkëshorti, e tjetri i dashuri.
Artan Imami dhe Indrit Çobani në skenë përfshihen nga një dialog intensiv sipas kryeveprës “Mashtrimi” të Anthony Shaffer, i ngjitur në Brodway, fitues i “Tony Award”, ekranizuar tre herë dhe kandidat për çmimin Oscar. Për herë të dytë si regjsor në karrierën e tij, Artan Imami ka këtë koncept regjisorial.
“Nëse Shafferi ka shkruajtur, ka parodizuar si të thuash marrëdhënien midis dy njerëzve ku konflikti seksual nuk është vetëm i tillë, por është edhe social, klasor. Dimensioni që i kam shtuar unë është që dy meshkuj fillojnë edhe harrojnë për cfarë objekti ishin duke u konfliktuar, dhe nuk ka fitues, ka edhe viktima”, thotë regjisori dhe aktori, Artan Imami.
Pjesë e Mashtrimit bëhet kushdo që sheh shfaqen, duke qenë se asnjëherë nuk është i sigurtë nëse personazhet janë pjesë e lojës, apo të vërtetë në veprimet e tyre. Artan Imamit edhe në intervistë i pëlqen të jetë pjesë e lojës kur pyetet për rrugëtimin e shfaqjes.
“Udhëtimin e ka duke nisur nga kjo e mërkurë, këtë javë dhe besoj edhe javën tjetër duke nisur nga e mërkura deri në të dielën dhe pastaj në disa qytetet kryesore të shqipërisë. Pastaj do jemi të ftuar në festivalin e Avinjonit, do nominohemi për OSCAR, për…. bëj shaka, nuk e di”, thotë ai.
Megjithatë nuk është shaka që ai ka qenë në Francë me shfaqen Lukrecia Borxhia, e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga Eric Vigner.
Top Channel