Korçë, gjenden 5 kg kanabis të hedhura anës rrugës

21/11/2017 16:04

Një sasi prej rreth 5 kg kanabis sativa është gjetur e hedhur poshtë një ure në qytetin e Korçës.

Lënda narkotike ishte hedhur përgjatë rrugës që të çon në malin e Moravës, në qytetin jug-lindor, ndërsa për orë të tëra ka qëndruar e ekspozuar në anë të rrugës.

Duke qenë një rrugë periferike mendohet se personat kanë përfituar nga fakti se lëvizjet dhe frekuentuesit që shkojnë drejt Moravës janë të pakët dhe e kanë hedhur lëndën narkotike në ambjent të hapur.

Dyshimet e para janë se droga është hedhur nga personat që e posedonin pasi ishte e prishur, ndërkohë që ende nuk ka asnjë pistë konkrete që do të çonte policinë tek personat qe e kanë lënë atje.

Kanë qenë kalimtarë të rastësishëm ata që e kanë konstatuar prezencën e lëndës narkotike buzë rrugës, ndërkohë që pas mbërritjes në vendin ku ajo ishte hedhur policia ka nisur veprimet dhe po heton për rastin.

Sipas grupit hetimor, do të jenë rezultatet laboratorike dhe ekzaminimet përkatëse ato që do të zbulojnë pse lënda narkotike është hedhur nga personat që e dispononin atë.

Top Channel