Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Shkup u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë, zotin Zoran Zaev.
Gjatë takimit Meta e uroi kryeministrin Zaev për rezultatet pozitive të dy proceseve zgjedhore në Maqedoni, si dhe përshëndeti angazhimet konkrete të qeverisë së re për përmirësimin e klimës së marrëdhënieve ndër-etnike, por edhe për krijimin e një marrëdhënieje sa më pozitive me vendet fqinje.
“Marrëdhëniet e mira ndëretnike në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit”, u shpreh Presidenti Meta.
Edhe në këtë takim, Meta theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë ekzistenciale dhe vendimtare për të ardhmen euro-atlantike të dy vendeve.
“Së bashku mund t’i rezistojmë e të përballojmë me sukses të gjitha sfidat e globalizmit me të cilat përballet rajoni ynë”, tha kreu i shtetit shqiptar.
Më tej Meta shprehu besimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE-në gjatë vitit 2018, ndërsa e siguroi kryeministrin Zaev për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO të vendit të tij.
Meta dhe Zaev ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe përmirësimin e lidhjeve energjetike e infrastrukturore, ku padyshim zbatimi i projekteve të përbashkëta në kuadrin e Korridorit 8 është shumë i rëndësishëm.
Meta shprehu bindjen se me investime jo të jashtëzakonshme mund të arrihen rezultate të jashtëzakonshme. Dy liderët shprehën besimin se në takimin e ardhshëm mes dy qeverive, që do të zhvillohet në Pogradec, do adresohen të gjitha këto çështje.
Top Channel