Një tjetër ndërhyrje, sërish nga ish-shefi ekzekutiv i Formulës 1, Bernie Ecclestone.
Manjati britanik thotë se është i paevitueshëm fakti që prodhuesit e automjeteve të kritikojnë rregullat e propozuara për motorët e F1-shit në vitin 2021, ndërsa shton se rregullat ose duhet të mbeten të praprekura, ose të ndryshojnë në mënyrë drastike.
Sipas ish-kreut të Formulës 1, i rrëzuar nga froni në janar të këtij viti, ndryshimet e reja përfshijnë shumë shpenzime shtesë, përtej investimeve të parashikuara.
“Problemi është se ata kanë shpenzuar një pasuri të tërë te këto motorë”, është shprehur Ecclestone për “Autosport”. “Ndaj ata nuk duan që të kthehen mbrapsht e të thonë se ‘tashmë na duhen fonde të tjera për të modifikuar motorët. Sinqerisht mendoj se ata duhet të bëjnë diçka krejt tjetër, ose t’i lënë gjërat siç janë. Ajo që ata duhet të bënin ishte pikërisht ajo që ramë dakord 3 vite më parë me Jean Todt, që kishte të bënte me nevojën për më shumë karburant në makinat e tyre. Kjo është realisht e nevojshme”.
Ecclestone duket skeptik mbi perspektivën që pronarët e rinj të F1-shit, “Liberty Media”, të kenë mundësi të ekzekutojnë ndryshimet e nevojshme për t’i bërë Çmimet e Mëdha më sfiduese.
“Ata nuk duhej të bënin kaq shumë parashikime mbi ato që munden të bëjnë, por duhej të kishin qëndruar në pritje për të parë se çfarë mundet të bëhet. Jam i bindur se ajo çfarë kanë pasur në mendje dhe duan të bëjnë është diçka e drejtë, por problemi është te realizimi i saj. Ajo që mund të bënim realisht është të riktheheshim në kohën kur F1 ishte realisht shumë popullor. Atëherë le të shqyrtojmë edhe njëherë rregulloren dhe ta modifikojmë atë në mënyrën e duhur. Garat e tanishme janë vërtet më të bukura tani, por kemi pritur 4 vite për këtë gjë. Tashmë Ferrari është zgjuar dhe kjo është një gjë e mirë, ndaj është më e lehtë kur ka rivalitet”.
Top Channel