Teatri “Old Vic”: 20 dëshmi kundër Kevin Spacey

16/11/2017 17:39

Teatri “Old Vic”, ku Kevin Spacey ka qenë drejtor artistik nga viti 2004 deri në 2011-n, njoftoi se kishte marrë 20 dëshmi personale për sjellje të papërshtatshme nga ana e aktorit të njohur, e se 14 prej tyre ishin aq serioze saqë akuzuesit ishin këshilluar t’i drejtoheshin policisë.

Personat e prekur thonë se ishin ndierë “të paaftë” për të ngritur shqetësimet. Teatri i famshëm londinez kërkoi falje, për faktin se nuk kishte krijuar një ambient apo kulturë ku pjesëtarë të stafit të ishin në gjendje të flisnin lirisht.

Njoftimi vjen në vazhdën e akuzave të shumta për ngacmime seksuale dhe sjellje grabitqare në emër të fituesit të çmimit “Oscar” dhe protagonistit të “House of Cards”.

Një hetim i zhvilluar nga “Old Vic” zbuloi se fama dhe statusi i tij në teatër mund të ketë penguar njerëzit, e veçanërisht aktoret apo pjesëtarët e rinj të stafit, të denonconin sjelljet e papërshtatshme, apo të kërkonin ndihmë.

Tre persona u thanë drejtuesve të teatrit se kishin kontaktuar me policinë. Ndaj Spacey ngrihen pretendime për sjellje të papërshtatshme e ngacmime, por jo për përdhunim. 16 prej individëve që e akuzojnë janë ish-pjesëtarë të stafit, të gjithë meshkuj.

Drejtori artistik aktual i teatrit, Matthew Warchus tha se ndiente keqardhje për personat e prekur dhe u shpreh i shokuar nga pretendimet. Karriera e Spaceyt ka marrë tatëpjetën që prej shpërthimit të skandalit.

Rrjeti “Netflix” pezulloi serialin “House of Cards” ku ai ishte protagonsit, Akademia e Arteve Televizive tërhoqi çmimin “Emy” për të, ndërsa regjisori Ridley Scott i hoqi skenat e tij nga filmi “All the Money in the World”, pavarësisht se xhirimet kishin përfunduar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA