Vrasja e Artan Cukut, i dyshuari ndryshon dëshmi

15/11/2017 19:51

Mikel Shallari pretendon se nuk ka prova ndaj tij dhe për këtë arsye po mbahet kot në paraburgim, pavarësisht se profili i ADN i dërguar nga autoritetet zvicerane tregon të kundërtën.

Në të thuhet se ka përputhje me të dhënat e zbuluara në rrobat që vrasësi i flaku në një kosh menjëherë pas krimit.

Por, megjithëse Shallari kërkon të lirohet, më herët ai ka treguar se porositësit e Artan Cukut i kishte takuar përmes kushëririt të tij, i cili kishte thënë se po kërkonin dikë që nuk kishte probleme me ligjin dhe që mos të gjendej lehtë.

Për takimin me porositësit, Shallari ka rrëfyer se pasi ishin ulur në një lokal, ai e kishte urdhëruar mos ta shikonte në fytyrë. “Do të vras po ma përmende emrin. Mbaroje këtë punë”, i kishte dhënë urdhër porositësi.

Në vijim të planit, sipas Mikel Shallarit, atij i ishin dhënë 3500 euro parapagim dhe shuma prej 15 mijë eurosh kur të mbaronte porosinë.

Në rrëfimin e tij, të cilin Top Channel e disponon, Shallari kujton se i ishin dhënë dy pistoleta dhe një makinë.

Ndërkohë, burime nga grupi i hetimit pohojnë se porositësit për vrasjen e Artan Cukut janë nga jugu, ndërsa dyshohet të jenë larguar nga Shqipëria.

Top Channel