Pas barazimit në Finlandë në ndeshjen e parë të kualifikueseve europiane për Botërorin “Rusi 2018”, një fushatë e mbyllur me rezultate skandaloze për Kosovën me vetëm 1 pikë, vjen edhe fitorja e parë zyrtare për kombëtaren e dytë të shqiptarëve që pas njohjes dhe anëtarësimit zyrtar në UEFA dhe FIFA.

Ekipi kosovar ka mposhtur 4-3 balltikët e Letonisë, në një ndeshje drithëruese të luajtur në Mitrovicë, për herë të parë që Kosova luan një takim zyrtar në tokën e saj, pas “transfertave” të imponuara në ndeshjet pritëse në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Por rezultati i arritur sot është shumë domethënës. Letonia gjeti e para golin e avantazhit pas vetëm 11 minutash lojë, por Amir Rahmani barazonte shifrat pas vetëm dy minutash. Ishin sërish balltikët që dyfishuan rezultatin në minutën e 30, e kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e Letonisë, erdhi goli i barazimit nga Muriqi.

Në pjesën e dytë, kombëtarja e Kosovës u duk se do të kërkonte më shumë, por sërish pësoi gol pas rreth një orë loje, duke zhgënjyer disi tifozët e pranishëm në Mitrovicë. Por surpriza ishte rezervuar në minutat e fundit të takimit, kur brenda 8 minutash erdhi edhe përmbysja e shumëpritur. Autorët e golave në minutën e 86 dhe 94-t ishin Rashani dhe Halimi, e me të vërshëllyer arbitri i ndeshjes, i gjithë stadiumi shpërtheu në festë për fitoren e parë zyrtare kosovare, edhe pse në një takim miqësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA