Lewis Hamilton ka bërë një tjetër sesion të shkëlqyer në provat e lira për Çmimin e Madh të Brazilit. Kampioni i saposhpallur i botës e ndali kronometrin në kohën 1.09.515, në sesionin më të gjatë dhe ku pilotët patën mundësinë të testojnë të gjitha tipet e gomave që kanë në dispozicion për këtë javë.
Britaniku nuk pati rivalë as në këtë sesion, me gjithë përmirësimet që bëri shoku i tij skuadrës, si dhe australiani Ricciardo. Të dy këta të fundit bënë dhe kohët më të mira, pas Hamilton.
Sebastian Vettel nuk zbriti më shumë se 1.09.875 pas 48 xhirosh në këtë sesion, duke u renditur i katërti në përfundim. Verstappen u rendit në vendin e pestë, ndërkohë piloti tjetër I Ferrarit Kimi Rakkonen u rendit në vendin e gjashtë.
Sesioni i dytë i provave është shoqëruar edhe nga entuziazmi i madh i tifozëve brazilianë, për lamtumirën e dytë që Massa bën nga F1, pikërisht në Brazil. Massa në këtë sesion u rendit në vendin e 8.
Top Channel