Chase Carey qetëson Sergio Marchionnen për sa i përket standardizimit të makinave të Formula 1. Presidenti i Ferrarit vetëm përpara pak ditësh kërcënoi me largim të “Kokëkuqes” nga ky Botëror nëse do të vendoset që makinat të kenë motor të njëjtë. Por presidenti i Liberty Media theksoi askush nuk e mendon një lëvizje të tillë.

“Nuk besoj se kemi një vizion të ndryshëm nga ai i Ferrarit”, tha Carey. “Nuk e konsiderojmë diçka negative të shkojmë drejt një formati si NASCAR, por nuk kemi ndërmend ta bëjmë një gjë të tillë. Nuk duam të standardizojmë makinat pasi nuk duam 20 makina identike në pistë ku ndryshimin e vetëm e bën piloti. Ajo që duam është që skuadrat të kenë kapacitet për të bërë çfarë munden për të krijuar mjete unike, me motorë e telajo unikë”.

“Molla e sherrit” në këtë pikë u bë motori i makinave i parashikuar për vitin 2021. Ideja ishte që të krijohen motorë më të thjeshtë, ekonomikë dhe më të zhurmshmen për të plotësuar edhe dëshirën e tifozëve të cilët i konsiderojnë makinat aktuale tepër të qeta. Carey që mori vendin e Bernie Ecclestone në krye të Formula 1 theksoi se objektivi është reduktimi i kostove dhe vendosja e një limiti në shpenzimet e skuadrave dhe e gjithë kjo bëhet me synimin që një skuadër të varet më shumë nga mënyra dhe jo nga sasia e parave që shpenzohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA