Aktori Kevin Spacey do të hiqet nga një film i përfunduar nga “Hollywood”-i, pas akuzave për sulme seksuale kundër tij. Roli i tij në “All the Money in the World” do t’i besohet dikujt tjetër dhe skenat do të rixhirohen.
Data e premierës do të mbetet e pandryshuar, më 22 dhjetor. Spacey, që interpreton manjatin e naftës John Paul Getty në film, do të zëvendësohet nga Christopher Plummer.
“All the Money in the World”, i regjisorit Ridley Scott, tregon historinë e rrëmbimit të nipit adoleshent të industrialistit amerikan, John Paul Getty, në vitin 1973.
“Variety” raporton se aktori i vënë në shënjestër të skandalit kishte realizuar dy javë xhirime dhe se kishte shumë skena ku ishte i vetëm përpara kameras.
Mark Wahlberg dhe Michelle Williams, që gjithashtu interpretojnë në film, pritet të marrin pjesë në rixhirime. Prodhimi është tërhequr gjithashtu nga Instituti amerikan i Filmit, një festival vjetor që mbahet gjatë këtij muaji në Los Angeles.
Karriera e Spaceyt ka marrë tatëpjetën që prej publikimit të pretendimeve të para për ngacmime seksuale më 30 tetor, nga aktori Anthony Rapp.
Rrjeti amerikan “Netflix” pezulloi prodhimin e dramës politike “House of Cards”, ku Spacey është protagonist, ndërsa Akademia e Arteve Televizive dhe Shkencave tërhoqi çmimin special “Emy” që kishte planfikuar t’i jepte atij.
Top Channel