I ngatërruan emrin dhe nga grua e bënë burrë. Prej dy vitesh, Rolanda Zengo sorrollatet pa gjetur zgjidhje në institucionet e vendit. Ndërkohë, ajo nuk merr dot paratë që i takojnë me ligj nga kompensimi.
Qytetarja Rolanda Zengo dhe familja e saj nuk arrijnë dot të marrin paratë nga kompensimi i pronës, pasi Rolanda rezulton me emrin Roland. Pra, nga femër ajo rezulton mashkull. Prej dy vjetësh ajo sorollatet midis Agjencisë së Kompensimit të Pronave dhe ALUIZNI-t, por sërish pa arritur të gjejë një zgjidhje.
“Kam dy vjet që më ka dalë emri në fletoren zyrtare për të marrë kompensimin e pronës, por rezultoj me emrin Roland dhe nuk mi japin paratë. Më thonë që rezultoj burrë dhe jo grua. Kur kam vajtur në Agjencinë e Kompensimit të Pronave më kanë thënë që duhet të sjell një certifikatë dhe një vërtetim. I kam çuar, por asgjë. Nuk di ç’të bëj! Ata një herë më thonë dorëzo certifikatën, pastaj më thonë se nuk është kompetencë e jona, por e ALUIZNI-t”, shprehet Rolanda Zengo.
Për problematikën e Rolandës, “Fiks Fare” iu drejtua ALUIZNI-t, pasi është ky institucion i cili çon dokumentacionin në ATP në bazë të VKM-së për kthimin dhe kompensimin e pronave. Përgjigjia zyrtare e këtij institucion ishte një shkresë në të cilën thuhej se dokumentacioni i përgatitur ka ardhur nga Hipoteka e Tiranës.
Për të gjetur se kush nga institucionet ka bërë gabim në dokumentacion duhet të merrej informacioni fillestar nga Hipoteka e Tiranës. Nëpërmjet një shkrese zyrtare Hipoteka pranoi se shkrimi i emrit gabim është një gabim material dhe se qytetarja duhet të bëjë një këkresë për ta ndryshuar.
Por ky gabim i vogël i Hipotekës i kushtoi Rolandës 21 milionë lekë të vjetra që nuk i mori dot nga shteti. Megjithatë, “Fiks Fare” së bashku me zonjën Zengo kërkuan të rikorigjohet kartela e hartuar nga Hipoteka në mënyrë që këtij problemi t’i jepej zgjidhje përfundimtare.
“Falenderoj “Fiks Fare” që më në fund arrita të korrigjoj këtë gabim, tani quhem Rolanda dhe jo Roland”, tha qytetarja.
Top Channel