Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se do të mbeten të izoluara në qëndrimin e tyre për marrëveshjen e klimës së Parisit, pas raporteve se Siria po përgatitet që t’i bashkohet pjesës së tjetër të botës.
Marrëveshja e Parisit bashkon vendet e botës në luftën kundër ndryshimeve klimaterike dhe në 2015, kur pakti u firmos vetëm Nikaragua dhe Siria nuk ë bënë këtë, për arsye diametralisht të kundërta.
Nikaragua e firmosi muajin e shkuar dhe kishte refuzuara deri tani pasi kërkonte masa shumë më të rrepta se ato të marrëveshjes, ndërsa Siria për shkak të luftës civile në vend, kishte të tjera gjëra në mendje. Por zyrtarët sirianë të pranishëm në bisedimet për klimën në qytetin gjerman të Bonit, thanë para delegatëve të 196 vendeve se vendi i tyre ishte gati t’i dërgonte OKB-së dokumentet e ratifikimit të marrëveshjes së Parisit.
Pala siriane deklaroi se Damasku zyrtar është plotësisht dakord dhe i angazhuar me paktin e Parisit, të cilin do ta firmosë së shpejti. Firma e pritshme e Sirisë bën që SHBA të jetë vendi i vetëm në botë që nuk e mbështet marrëveshjen.
Formalisht, SHBA është ende pjesë e saj, pasi pavarësisht lajmërimit të tërheqjes nga presidenti Donald Trump, rregullat e paktit e bëjnë të mundur këtë në vitin 2020. Megjithatë de fakto, Uashingtoni nuk bën më pjesë në marrëveshjen e Parisit diçka që theksohet edhe nga fakti se Franca nuk e ka ftuar presidentin Trump në samitin e dhjetorit për klimën në Paris.
Top Channel